Gjatë këtyre ditëve dhe muajve të dimrit, kur shfaqja e shpeshtë e mjegullës dhe dukshmëria e zvogëluar i vështirëson ndjeshëm kushtet për zhvillimin e komunikacionit, rreziku i aksidenteve në komunikacion rritet. Fusha e shikimit e zvogëluar, vlerësimi i vështirë i distancave dhe reagimi më i ngadalshëm i shoferëve janë ndër faktorët kryesorë që kontribuojnë në aksidentet më serioze në komunikacion, përfshirë edhe përplasjet zinxhirore me pasoja të rënda.
Me qëllim të avancimit të sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, u bëjmë thirrje dhe i këshillojmë shoferët që t’u përmbahen në mënyrë strikte rekomandimeve të mëposhtme gjatë vozitjes në kushtet me mjegull dhe dukshmëri të zvogëluar:
-
• Shpejtësia e lëvizjes duhet të përshtatet me dukshmërinë, kushtet e rrugës dhe dendësinë e komunikacionit, me mundësinë e ndalimit në kohë dhe të sigurt.
• Të mbahet distanca më e madhe e sigurt midis automjeteve, në mënyrë që të reagohet në kohë ndaj rreziqeve në rrugë dhe situatave të papritura.
• Të përdoren dritat e shkurtra për të ndriçuar rrugën dhe dritat e mjegullës, nëse automjeti i ka, dhe shmangni përdorimin e dritave të gjata, të cilat e zvogëlojnë më tej dukshmërinë për shkak të reflektimit nga mjegulla.
• Në kushtet e mjegullës së dendur, shoferët duhet të jenë të dukshëm për pjesëmarrësit e tjerë, dhe nëse është e nevojshme, t’i ndezin vezulluesit si sinjalizim shtesë ndriçues.
• Të shmangen manovrat e rrezikshme, siç janë parakalimi, ndalimi i papritur ose parkimi në rrugë. Nëse ndalimi është i domosdoshëm, ai duhet të bëhet jashtë rrugës, me sinjalizimin përkatës – jelek reflektues, trekëndësh ose dritë të verdhë rrotulluese.
• Vozitja të zhvillohet më afër skajit të djathtë të rrugës, me vëmendje të shtuar ndaj sinjalizimit horizontal dhe vertikal.
• Shmangni udhëtimin natën dhe herët në mëngjes kur mjegulla dhe dukshmëria e zvogëluar janë më të theksuara.
Thirrje e veçantë u bëhet shoferëve të rinj dhe pa përvojë, të cilët duhet të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi shtesë kur vozisin në kushtet e tilla të motit.
Siguria në komunikacion është përgjegjësi e përbashkët. Me sjellje të kujdesshme, të ndërgjegjshme dhe të disiplinuar, çdo shofer mund të kontribuojë në mbrojtjen e jetës së vet, si dhe të jetës së pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.