Kryetari i Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), Goran Angellovski, mori pjesë në punëtorinë profesionale të trajnimit mbi zhvillimin dhe zbatimin e Planeve të Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane, që u mbajt më 05.06.2026, në ambientet e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) në Shkup.
Evenimenti u organizua nga Ministria e Transportit në kuadër të “Projektit të lidhjes së rrugëve lokale”, të mbështetur nga Banka Botërore, dhe në të morën pjesë kryetarët e komunave nga komunat urbane, përfaqësuesit e më shumë ministrive dhe institucioneve, si dhe vendimmarrësit e nivelit nacional dhe lokal.

Në fjalimet e tyre, ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, kryetari i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski dhe drejtoresha e Bankës Botërore për Maqedoninë, Karoll Mezhevan, e theksuan rëndësinë e planifikimit strategjik të infrastrukturës së komunikacionit dhe nevojën për të zhvilluar sisteme moderne dhe të qëndrueshme të transportit në komunat e Maqedonisë.
Punëtoria iu kushtua avancimit të kapaciteteve të institucioneve për përgatitjen dhe zbatimin e Planeve të Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane (PLQU), me theks të veçantë në përmirësimin e rrjedhës së komunikacionit, uljen e rrëmujës, rritjen e sigurisë së këmbësorëve dhe çiklistëve dhe përmirësimin e cilësisë së mjedisit jetësor.
Në kuadër të këtij evenimenti, kryetarit të KRSKRR-së, Goran Angellovski, iu dha certifikata për zhvillimin dhe zbatimin e Planeve të Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane në kuadër të projektit “Lidhja e rrugëve lokale” si mirënjohje për rolin aktiv të KRSKRR-së në projekt dhe në krijimin dhe mbështetjen e politikave që synojnë lëvizshmërinë më të sigurt dhe më të qëndrueshme në Maqedoni.

KRSKRR-ja vazhdon me misionin: siguria në komunikacion duhet të mbetet një nga prioritetet kryesore në proceset e planifikimit dhe zhvillimit urban, ndërsa bashkëpunimi midis institucioneve shtetërore, vetëqeverisjes lokale dhe partnerëve ndërkombëtarë është çelësi për krijimin e kushteve të jetesës më të sigurta, më funksionale dhe me cilësi më të lartë për qytetarët.