KRSKRR-ja me fushatë parandaluese për siguri më të madhe në komunikacion dhe mbështetje për sistemin “Qyteti i Sigurt”
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor – KRSKRR, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Këshillat Komunalë për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe partnerët e tjerë relevantë, e realizon fushatën parandaluese të komunikacionit “QYTETI I SIGURT – për pjesëmarrësit e sigurtë në komunikacion”.
Fushata synon informimin dhe edukimin e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, veçanërisht shoferëve të automjeteve, rreth mënyrës së funksionimit të sistemit “Qyteti i Sigurt”, rolit të tij në zbulimin dhe sanksionimin e kundërvajtjeve në komunikacion, si dhe të drejtave dhe detyrimeve të pjesëmarrësve në komunikacion, kundërvajtjet e të cilëve do të regjistrohen me mjete teknike dhe pajisje të incizimit.
“Qyteti i Sigurt” është një hap i rëndësishëm drejt sistemit modern, më efikas dhe më objektiv të kontrollit të komunikacionit, në të cilin zbatimi i zgjidhjeve moderne teknike dhe teknologjike kontribuon në zbulimin në kohë të sjelljeve që rrezikojnë sigurinë rrugore.
Sistemi mundëson regjistrimin e kundërvajtjeve, duke përfshirë mosrespektimin e shpejtësisë së përcaktuar, kalimin në dritë të kuqe, vozitjen e automjetit me patentë shoferi të skaduar dhe parkimin e pasaktë, me mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të fushëveprimit të kundërvajtjeve në të ardhmen.
Zbatimi i tij kontribuon për objektivitet më të madh, mosselektivitet dhe efikasitet në veprim, duke zvogëluar ndikimin e faktorit njeri në identifikimin dhe dokumentimin e kundërvajtjeve në komunikacion.
Qëllimi, megjithatë, nuk është të sanksionohen sa më shumë shoferë që të jetë e mundur. Qëllimi është të ketë më pak kundërvajtje, sa më pak aksidente në komunikacion dhe të shpëtohen sa më shumë jetë të njerëzve që të jetë e mundur.
Në këtë kontekst, fushata ka mesazh të qartë dhe të fortë: siguria në komunikacion nuk ndërtohet vetëm me sanksione, por mbi të gjitha me përgjegjësi, respektim të rregullave dhe vetëdije se çdo sjellje e papërgjegjshme mund të ketë pasoja të pakthyeshme.
Një segment i veçantë i fushatës do të realizohet në vendkalimet kufitare gjatë hyrjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku shoferët e automjeteve, përfshirë shoferët e automjeteve me targa të huaja, do të marrin informacione dhe materiale edukative rreth sistemit “Qyteti i Sigurt”, zbatimit të tij dhe detyrimeve për të respektuar rregullat e komunikacionit.
KRSKRR-ja u bën thirrje të qartë të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion:
Respektoni rregullat. Respektoni shenjat e komunikacionit. Respektoni pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.
“Qyteti i Sigurt” nuk duhet të jetë arsye për të vozitur me kujdes vetëm sepse mund të sanksionohemi, por duhet të jetë përkujtesë se sjellja e kujdesshme dhe e përgjegjshme është detyrimi ynë personal dhe shoqëror.
Sistemi mund ta regjistrojë kundërvajtjen.
Por, vendimi për të mos e bërë këtë – është i yni.
Me sjellje të përbashkët, të përgjegjshme dhe të disiplinuar, mund të krijojmë qytete dhe rrugë urbane dhe ndërurbane më të sigurta.
QYTETI I SIGURT – PËR PJESËMARRËSIT E SIGURTË NË KOMUNIKACION
PËR MË PAK KUNDËRVAJTJE
PËR MË PAK VIKTIMA
PËR MË SHUMË JETË TË SHPËTUARA
SEPSE ÇDO JETË ËSHTË E RËNDËSISHME