Sot, në hapësirën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga kryetarja e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, Gordana Kozhuvarovska, ministrit Pançe Toshkovski iu dorëzuan automjetet të dedikuara për modernizimin e pajisjeve të policisë së komunikacionit. Dy automjete janë të tipit Dacia Duster dhe katër automjete Dacia Sandero Stepway, prodhimi i vitit 2024, të pajisura me shenjën policore dhe pajisjet shtesë.
“KRSKRR-ja në kuadër të kompetencës të tij ligjore në bashkëpunim me MPB-në, sot bëri të mundur rritjen e vëllimit të automjeteve që kemi në dispozicion në ministri. Gjashtë automjetet do të përdoren në SPB Shkup si pjesë e ekipit inspektues dhe policisë së komunikacionit. Shpresoj se me këtë do ta rrisim shpejtësinë e reagimit në kuadër të kryerjes së aktiviteteve inspektuese në nivel të Qytetit të Shkupit. Në të ardhmen përmes KRSKRR-së ose institucioneve të tjera do të blihen automjete me shenja policore për t’i bërë ato më të dukshme dhe për t’u dhënë qytetarëve një ndjenjë më të madhe të sigurisë”, theksoi ministri Toshkovski.
KRSKRR-ja i ka blerë automjetet dhe pajisjet në përputhje me obligimin që një pjesë të këtyre mjeteve t’i ndajë për blerjen e pajisjeve për modernizimin e shërbimeve të MPB-së që kujdesen për sigurinë në komunikacion, në përputhje me dispozitat e Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor.
Kryetarja e KRSKRR-së, Kozhuvarovska, theksoi se bashkëpunimi i suksesshëm midis KRSKRR-së dhe MPB-së vazhdon me qëllim të përbashkët për avancimin e sigurisë në komunikacionin rrugor.