Mirëmbajtja e rregullt dhe gjendja teknike e automjeteve është parakushti vendimtar për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor e fillon fushatën e re parandaluese dhe edukative me titull “Avancimi i punës së stacioneve të kontrollit teknik dhe rritja e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e gjendjes teknike të automjeteve”, me qëllim të ndërgjegjësimit sistematik mbi rëndësinë e kontrollit dhe mirëmbajtjes së rregullt të automjeteve.
Hulumtimet dhe analizat e shkaqeve të aksidenteve në komunikacion tregojnë se mosfunksionimi teknik i automjeteve është faktor i rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt në situatën e sigurisë në komunikacion. Parregullsitë në sistemet e frenimit, vozitjes, sinjalizimit ndriçues, gomave dhe sistemeve dhe pajisjeve të tjera krijojnë kërcënim serioz për sigurinë e shoferëve, pasagjerëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Me anë të fushatës, KRSKRR-ja kujton se kontrollet teknike nuk janë vetëm detyrim ligjor, por edhe përgjegjësi morale dhe shoqërore e çdo pronari të automjetit. Automjeti i rregullt teknikisht është me rëndësi thelbësore për minimizimin e rrezikut të aksidenteve dhe për të ngritur nivel më të lartë të kulturës dhe disiplinës së komunikacionit në rrugë.

Në realizimin e qëllimit për sigurimin e gjendjes teknike të automjetit, stacionet e kontrollit teknik të automjeteve luajnë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ato janë pika e parë e kontrollit dhe kanë rol vendimtar në sistemin e sigurisë në komunikacion, ku personi i trajnuar profesionalisht me pajisje moderne i kontrollon të gjitha sistemet vitale të automjetit – frenat, vozitjen, pezullimin, sinjalizimin ndriçues, sistemin e gazrave të shkarkimit, gomat dhe elementët e tjerë mekanikë që janë kritikë për pjesëmarrje të sigurt të automjetit në komunikacion.
KRSKRR-ja në të njëjtën kohë u bën thirrje shoferëve dhe pronarëve të automjeteve që të kuptojnë rëndësinë e kontrollit të rregullt, jo vetëm si formalitet, ose shpenzim shtesë, por si masë reale për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Secili prej nesh ka detyrim dhe interes për të vozitur automjetin e rregullt teknikisht i cili do të kontribuojë për komunikacion më të sigurt.
Në kuadër të fushatës do të realizohen një sërë aktivitetesh, duke përfshirë:
- Ngjarjet edukative dhe informative;
- Përmbajtjet mediatike me këshilla praktike për mirëmbajtjen e sigurt të automjeteve;
- Bashkëpunimin me personat e autorizuar juridikë për kryerjen e kontrollit teknik (SKT) dhe serviseve të automjeteve;
- Hartimin dhe shpërndarjen e materialeve edukative promovuese që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rëndësinë e gjendjes teknike të automjeteve.
Prandaj:
Kontrolloni rregullisht gjendjen e automjetit tuaj. Mos e rrezikoni jetën tuaj dhe jetën e të tjerëve. Gjendja teknike e automjetit tuaj është garancia për udhëtim të sigurt dhe pjesëmarrje të përgjegjshme në komunikacion. Ky është kujdes i përbashkët për uljen e numrit të aksidenteve në komunikacion.
Kontrolloni. Mirëmbani. Vozitni në mënyrë të sigurt!