Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), në kuadër të fushatave për rritjen e sigurisë në komunikacion, ka filluar fushatën për siguri më të madhe të të rinjve në komunikacion – kushtuar maturantëve, me moton “Në mbrëmjen e maturës pa automjet!”
Fushata synon t’u dërgojë një mesazh të fortë të rinjve – mos të ulen pas timonit në mbrëmjen e maturës nëse kanë konsumuar alkool, por të shfrytëzojnë transportin publik, taksitë ose transportin nga personat që nuk kanë konsumuar alkool, përkatësisht mos të vozitin automjetin.

Me ngjarjen e sotme, e cila u mbajt në shkollën e mesme SHMQSH “Vllado Tasevski” fillon fushata, në kuadër të së cilës po fillojnë një sërë aktivitetesh në terren të organizuara nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, Këshillat Komunalë për Siguri në Komunikacionin Rrugor, MPB-ja dhe Fakulteti i Sigurisë – Shkup. Fillimi i fushatës u shënua me një ligjëratë për nxënësit e vitit të katërt – maturantët e shkollës.
Kryetari i KRSKRR-së, mr. Goran Angellovski, theksoi se mbrëmjet e maturës janë akt solemn përkujtimi që plotëson një pjesë të arsimimit të çdo maturanti dhe qëllimi i kësaj fushate është t’u mësojë të rinjve që mos të vozitin automjet nëse kanë konsumuar alkool.
“Gjatë mbrëmjeve të maturës nuk duhet të konsumoni alkool dhe të vozitni automjet, përkatësisht duhet t’i bëni mbrëmjet e maturës një akt që do ta mbani mend për gjithë jetën. Le të mos lejojmë që ndonjë sjellje e pamatur dhe e papërgjegjshme në komunikacion të përfundojë me një fund tragjik – apeloi Angellovski.”

Fushata do të vazhdojë me një sërë aktivitetesh, të cilat do të zbatohen në shkollat e mesme në Maqedoni.
Me këtë fushatë, KRSKRR-ja dërgon një mesazh të qartë:
FESTONI ME PËRGJEGJËSI – ÇDO JETË ËSHTË E RËNDËSISHME!