Në prag të fundjavës, në Ohër u mbajt gara edukative e komunikacionit për çiklistët e rinj “Semafori i Fëmijëve Ohër”, ngjarje që synon të rrisë kulturën e komunikacionit dhe të edukojë pjesëmarrësit e rinj në komunikacion. Gara u organizua nga Këshilli Komunal për Siguri në Komunikacionin Rrugor Ohër, në bashkëpunim me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), Departamentin e Parandalimit pranë SPB Ohër dhe Komunën e Ohrit.
Si pjesë e ngjarjes, nxënësit patën mundësinë të demonstrojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në fushën e komunikacionit përmes disiplinave teorike dhe praktike, dhe garuesit më të mirë u shpërblyen në mënyrë të përshtatshme. U ndanë çmime për fitimin e vendeve të para, të dyta dhe të treta në garat individuale dhe ekipore, ku pjesëmarrësit më të suksesshëm morën mirënjohje dhe çmime të vlefshme për rezultatet e tyre të arritura.

Përveç kësaj, në kuadër të garës, u mbajt edhe konkursi figurativ me temë “Pjesëmarrja e sigurt në komunikacion”, në të cilën nxënësit përcollën mesazhin e sjelljes së përgjegjshme në komunikacion përmes shprehjes kreative. Veprat më të mira figurative u shpërblyen, një pjesë e tyre u vunë në ankand me qëllim të mbledhjes së mjeteve për qëllime humanitare, ndërsa një pjesë nga çmimet e fituara iu dorëzuan nxënësve nga përfaqësuesit e pranishëm të pushtetit qendror dhe lokal.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i KRSKRR-së, Goran Angellovski, kryetari i Komunës së Ohrit, Kirill Pecakov, shefi i SPB Ohër, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev – si dhe përfaqësuesit e Këshillit dhe KKSKRR-së komunale, të cilët morën pjesë aktive në këtë ngjarje duke ofruar mbështetje për pjesëmarrësit e rinj.

Organizatorët theksuan se “Semafori i Fëmijëve” është një segment i rëndësishëm në ndërtimin e kulturës së komunikacionit tek fëmijët, me qëllim të krijimit të pjesëmarrësve të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm në komunikacion që nga mosha e hershme.
Aktivitetet e tilla vazhdojnë angazhimin e vazhdueshëm të KRSKRR-së dhe partnerëve në fushatat që synojnë avancimin e sigurisë në komunikacion dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e respektimit të rregullave të komunikacionit.