Pjesëmarrja e sigurt në komunikacion e më të vegjëlve është përgjegjësi e madhe për të gjithë shoqërinë, siguria në komunikacion nuk është vetëm çështje teknike – është aftësia që duhet të mësohet që në moshë të hershme, të praktikohet dhe të përkujtohet vazhdimisht.
Prandaj këtë vit, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Ministria e Punëve të Brendshme po i fillojnë aktivitetet parandaluese dhe ligjëratat në shkolla si pjesë e fushatës “T’i mbrojmë fëmijët në komunikacion”.
Kur fëmijët i fitojnë këto shprehi në shkollën fillore, ndërtohet vetëbesimi dhe themeli mbi të cilin ata rriten më tej në pjesëmarrës të përgjegjshëm në komunikacion – jo vetëm për veten e tyre, por edhe për të tjerët.
Në pesë vitet e fundit (2019–2024), sipas të dhënave të MPB-së, 771 persona kanë humbur jetën në aksidentet në komunikacion, ndërsa shkaqet më të zakonshme të aksidenteve fatale vazhdojnë të jenë vozitja e shpejtë, mosrespektimi i përparësisë së kalimit, vozitja në drejtim të kundërt dhe vozitja e automjetit në ndikimin e alkoolit. Këto numra nuk janë vetëm statistika – ato janë paralajmërim se pa kujdes dhe disiplinë, çdo pjesëmarrës në komunikacion mund të përfundojë tragjikisht.
Në dritën e këtyre njohurive, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) u bën thirrje shoferëve, prindërve dhe fëmijëve për kujdes dhe përkushtim të shtuar ndaj qëllimit të përbashkët – sigurisë së pjesëmarrësve, veçanërisht më të vegjëlve:
Thirrja për shoferët dhe prindërit:
• Afrohuni me shpejtësi të zvogëluar dhe kujdes të shtuar në zonat e qeta të komunikacionit (zona 30 km/orë), veçanërisht rreth shkollave dhe institucioneve arsimore.
• Respektoni sinjalizimin dhe vendkalimet e këmbësorëve, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të pasdites.
• Mos parkoni kurrë në vendet që e pengojnë shikimin e vendkalimeve të këmbësorëve.
• Bisedoni me fëmijët për rëndësinë e lëvizjes së sigurt në rrugë dhe këshilloni ata të kalojnë rrugën vetëm në vendkalimin e këmbësorëve ose mbikalimet ose nënkalimet, si dhe të shikojnë në të dy drejtimet e komunikacionit para se të shkelin në vendkalimin e këmbësorëve.
• Mësoni t’i përdorin trotuaret dhe të lëvizin me kujdes, veçanërisht rreth automjeteve të parkuara në trotuare.
“Mini-këshilla” për këmbësorët e vegjël:
• Zgjidhni rrugë të sigurt për në shkollë – në trotuar, jo përgjatë rrugës.
• Kaloni rrugën vetëm në vendkalimin e shënuar të këmbësorëve dhe, kur ka një të tillë, kur drita e gjelbër në semaforin për këmbësorë është aktive.
• Mos luani pranë rrugës dhe automjeteve të parkuara.
• Mos e kaloni kurrë rrugën duke vrapuar ose midis automjeteve të parkuara.
• Nëse ndonjë shok sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe papritmas del ose luan në rrugë, tregoni për gabimin që po bën.
• Kini kujdes pranë trotinetëve elektrikë, biçikletave dhe motoçikletave, ata mund të lëvizin me shpejtësi të madhe dhe ekziston rreziku i lëndimit gjatë lëvizjes.
KRSKRR-ja përkujton dhe bën thirrje: Çdo mosrespektim i rregullave sjellë rreziqe serioze. Siguria nuk është rastësi, por rezultat i disiplinës, kujdesit dhe qasjes së përgjegjshme nga të gjithë – shoferët, prindërit, mësimdhënësit, por mbi të gjitha fëmijët.
Së bashku, mund ta bëjmë rrugën për në shkollë të sigurt – t’i mbrojmë fëmijët në komunikacion, çdo ditë, në çdo vend!
 
				 
				
 
				