Најчести причини за сообраќајни незгоди во кои страдаат младите возачи – Arsyet më të shpeshta për fatkeqësitë e komunikacionit në të cilat pësojnë shoferët e rinj
Sipas të dhënave të OBSH-së, çdo vjet rreth 400,000 të rinj në botë humbin jetën në fatkeqësi komunikacioni. Kjo do të thotë që 1,100 të rinj nën moshën 25 vjeç humbin jetën çdo ditë në fatkeqësi komunikacioni në të gjithë botën.
Fatkeqësitë e komunikacionit janë shkaku kryesor i vdekjes së personave të moshës prej 15 deri në 19 vjeç dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjes së personave të moshës prej 10 deri në 25 vjeç.
Duke i pasur parasysh faktet e mësipërme, me të drejtë mund të themi se fatkeqësitë e komunikacionit janë murtaja e zezë e shekullit 21.
Sipas përvojave botërore dhe rezultateve të hulumtimit nga organizatat përkatëse ndërkombëtare, shkaqet më të zakonshme të fatkeqësive të komunikacionit në të cilat pësojnë shoferët e rinj janë:
1. Papërvoja e ngasjes. Rreziku për të shkaktuar fatkeqësi komunikacioni është më i madh në vitin e parë pas marrjes së patentës së shoferit. Prandaj, përkundër marrjes së patentë shoferit, prindërit kanë obligim prindëror që t’u sigurojnë shoferëve të rinj të paktën 30 deri në 50 orë praktikë ngasjeje të mbikëqyrur gjatë së paku gjashtë muajve nga marrja e patentë shoferit. Praktika duhet të realizohet në rrugë të ndryshme, në kohë të ndryshme të ditës dhe në kushte të ndryshme të motit dhe kushteve të komunikacionit. Trajnimi praktik duhet të përfshijë edhe aktivitete për të skanuar vazhdimisht rreziqet e mundshme duke i përfshirë edhe automjetet e tjera, çiklistët dhe këmbësorët.
2. Pjekuria e pamjaftueshme dhe karakteri i dobët. Rreziku i shkaktimit të fatkeqësisë së komunikacionit rritet kur shoferët e rinj ngasin pasagjerë të rinj në automjet. Sa më i lartë të jetë numri i pasagjerëve në automjet, aq më i madh është edhe rreziku. Prandaj, shoferët e rinj rekomandohen të zvogëlojnë numrin e pasagjerëve të rinj në automjet në 0 ose një. Respektimi i këtij rekomandimi është veçanërisht i rëndësishëm në 6 muajt e parë pas marrjes së patentë shoferit.
3. Papërvoja në ngasjen gjatë natës. Ngasja gjatë natës është rrezik për të gjitha grupmoshat. Fatkeqësitë fatale të komunikacionit ndodhin më shpesh në orët e mbrëmjes, por rreziku është shumë më i lartë për shoferët e rinj dhe të papërvojë. Sipas LSKRR-së, shoferët e rinj – shoferët fillestarë nuk duhet të ngasin pas orës 23:00 deri në 05:00 në dy vitet e para pasi të kenë marrë patentë shofer të pashoqëruar nga një person i rritur mbi 25 vjeç i cili posedon patentë shoferi të kategorisë përkatëse dhe të cilit nuk i është shqiptuar ndalimi i ngasjes së automjetit.
Kjo është arsyeja pse mesazhi për shoferët e rinj, për shoferët fillestarë, është që t’i respektojnë kufizimet ligjore dhe të praktikojnë ngasjen gjatë natës të shoqëruar nga një shofer me përvojë në orët e mbrëmjes para se të fillojnë të ngasin në mënyrë të pavarur gjatë natës.
4. Mospërdorimi i rripit të sigurimit. Parandalimi themelor i vdekjeve në fatkeqësitë e komunikacionit është përdorimi i rripit të sigurimit. Hulumtimet tregojnë se shoferët dhe pasagjerët e rinj e përdorin më pak rripin e sigurimit. Prandaj, gjithmonë përdorni rrip të sigurimit dhe gjithmonë kërkoni nga pasagjerët tuaj që detyrimisht të përdorin rrip të sigurimit në çdo udhëtim. Ky është hapi themelor për të zvogëluar rrezikun që të rinjtë të lëndohen rëndë në fatkeqësitë e komunikacionit.
5. Ngasja e shpërqendruar. Shpërqendrimi, pakujdesia – e rrit rrezikun që shoferi i ri të shkaktojë fatkeqësi komunikacioni. Hulumtimet konfirmojnë se shoferët e rinj kanë më shumë të ngjarë të përdorin telefon celular dhe të ngasin automjetin me vëmendjen e shpërqendruar. Prandaj, këshilla për shoferët e rinj është: Mos ndërmerrni aktivitete që mund t’ju tërheqin vëmendjen gjatë ngasjes, siç janë biseda në celular, dërgimi i mesazheve, ngrënia ose loja në radio. Pasojat e ngasjes së shpërqendruar shpesh janë fatale.
6. Lodhja. Shoferët e rinj janë në rrezik të lartë nga përgjumja gjatë ngasjes, gjë që shkakton mijëra fatkeqësi komunikacioni çdo vjet. Të rinjtë janë më të përgjumur në mëngjes herët ose natën vonë. Prandaj, planifikojeni udhëtimin tuaj, udhëtoni të përgatitur, të pushuar, bëni më shumë pushime dhe konsumoni më shumë lëngje gjatë ngasjes. Asnjëherë mos vendosni qëllime të mëdha dhe mos i mbivlerësoni aftësitë tuaja dhe mos e nënvlerësoni lodhjen.
7. Ngasja e pamatur. Hulumtimet tregojnë se të rinjve u mungon përvoja e gjykimit dhe pjekurisë së duhur për t’i vlerësuar situatat e rrezikshme. Të rinjtë janë më të prirur të rrezikojnë, më pak të ngjarë të mbajnë distancë të sigurt midis automjeteve, të ngasin sllallom, të parakalojnë gabimisht, të jenë më pak të durueshëm dhe më pak tolerant në komunikacion. Për situata më pak të padëshiruara në rrugë, shoferët e rinj duhet të jenë shoferë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm dhe gjithmonë t’i respektojnë rregullat e komunikacionit.
8. Ngasja e shpejtë dhe alkooli. Shpejtësia dhe alkooli zhvatin gabime që shpesh përfundojnë me pasoja fatale. Shoferi – fillestari nuk duhet të ngas automjet me shpejtësi më të madhe se 60 km / h në rrugë publike, përkatësisht me shpejtësi më të madhe se 80 km / h në rrugë të destinuar ekskluzivisht për komunikacion të mjeteve motorike, përkatësisht me shpejtësi më të madhe se 100 km / orë në autostradë.
Shoferi fillestar që ka patentë shoferi të kategorisë B nuk duhet të ngas automjet me fuqi motorike më të madhe se 77 kW. Toleranca, sasia e lejuar e alkoolit në gjakun e shoferit fillestar është e barabartë me zero.
Shpejtësia dhe alkooli janë shkaqet më të zakonshme të fatkeqësive në komunikacion. Prandaj, respektoni rregullat e kufizimit të shpejtësisë dhe kurrë mos vozisni nën ndikimin e alkoolit.
KRSKRR-ja me thirrje: Siguria në komunikacion kërkon seriozitet, përgjegjësi dhe respektim maksimal të rregullave të komunikacionit. Rinia nuk është dhe nuk mund të jetë ndonjë justifikim për sjellje të papërgjegjshme në komunikacion.
Bëhu shofer i përgjegjshëm! #NGASMEPËRGJEGJËSI