Kryetari i Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, Goran Angellovski, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot morën pjesë në dorëzimin e pajisjeve nga KRSKRR-ja për MPB-në. Pajisjet përbëhen nga 23 motoçikleta “Piaggio” me fuqi 310 cm3, në performancën policore dhe 23 komplete pajisjesh për vozitje të përbëra nga kostume, helmeta, doreza dhe çizme.

“Në kuadër të aktiviteteve të rregullta të modernizimit, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacionin rrugor, Këshilli Republikan edhe këtë vit ndau një pjesë të mjeteve për pajisjen e njësive organizative të MPB-së të ngarkuar për kontrollin e komunikacionit. Pajisjet përbëhen nga 23 motoçikleta policore me pajisje të plota motoçikletash (kostume, çizme, doreza dhe helmetë) në vlerë të përgjithshme prej 11.950.027 denarë, gjë që forcon ndjeshëm kapacitetet për rregullimin dhe sigurinë në komunikacion. Ky shembull edhe një herë e dëshmon vlerën e bashkëpunimit ndërinstitucional”, tha kryetari i KRSKRR-së, Angellovski.
Ministri Toshkovski vuri në dukje se qasja dhe bashkëpunimi i tillë janë dëshmi se uniteti dhe koordinimi midis institucioneve sjellin rezultate konkrete.
“Me ngjarjen e sotme, e nxjerrim në pah bashkëpunimin tonë të suksesshëm me Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor – partneritet që kontribuon vazhdimisht në rritjen e nivelit të sigurisë së komunikacionit. Kjo qasje është dëshmi se uniteti dhe koordinimi midis institucioneve sjellin rezultate konkrete për qytetarët, në këtë rast për përmirësimin e sigurisë rrugore”, theksoi ministri Toshkovski.
Ministri Toshkovski dhe kryetari Angellovski ranë dakord që bashkëpunimi midis Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe MPB-së do të vazhdojë edhe në të ardhmen në nivel të lartë profesional – Siguria në komunikacion është përparësia jonë e rëndësishme.