Стави појас, за твоја безбедност! – кампањата на РСБСП – Vendos rripin e sigurimit, për sigurinë tënde! – fushatë e KRSKRR-së
Hulumtimet dhe vlerësimet tregojnë se më pak se 40% e shoferëve përdorin rrip të sigurimit. Kjo përqindje është edhe më e ulët kur bëhet fjalë për pasagjerët në sediljen e përparme që përdorin rrip të sigurimit. Numri i pasagjerëve në ulësen e pasme që përdorin rrip të sigurimit është përafërsisht i barabartë me zero. Vetëm për krahasim, shkalla e përdorimit të rripit të sigurimit në sediljet e përparme në vendet e Bashkimit Evropian është rreth 90%, ndërsa në sediljet e pasme nga 60% deri në 70% dhe BE e konsideron këtë një “problem serioz”.
Hulumtimet tregojnë gjithashtu se në qytetet më të vogla përdoret më pak rripi i sigurimit në krahasim me Shkupin. Kërkimet tregojnë gjithashtu se kur shoferët dhe pasagjerët udhëtojnë në distanca më të vogla në vendbanim, përdorin më pak rrip të sigurimit krahasuar me udhëtimet në distanca të gjata jashtë vendbanimit. Kjo situatë duhet të ndryshojë.
Në pajtim me këtë, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor filloi me realizimin e fushatës me moton “Vendos rripin e sigurimit”. Në fazën e parë dhe fillestare, fushata përfshiu disa aktivitete edukative përmes medieve elektronike dhe sociale. Në fazën e dytë, fushata do të përfshijë disa aktivitete në terren siç janë organizimi i ligjëratave edukative për nxënësit dhe studentët, kontrollet e intensifikuara nga policia e komunikacionit, ngjarjet edukative në disa vende publike dhe aksione edukative për shpërndarjen e materialeve edukative të komunikacionit.
Është e rëndësishme të theksohet se fushata do të mbështetet nga disa personalitete publike dhe kompani me përgjegjësi shoqërore. Mbështetja nga KH Vardar dhe KH Eurofarm Pelister është veçanërisht e rëndësishme dhe në përputhje me rrethanat në periudhën e ardhshme do të realizohen aktivitete edukative parandaluese dhe befasi për mbështetësit e hendbollit, siç janë: aromatizuesi për automjete me ngjyrat e klubit për secilin vizitor të ndeshjeve, aksionet parandaluese dhe biletat për shoferët që përdorin rrip të sigurimit, pajisje, bluza dhe rekuizita të tjera për ata që brenda aksionit do të konfirmohet se përdorin rrip të sigurimit kur ngasin ose udhëtojnë.
Përdorimi i rripave të sigurimit është obligim ligjor si për shoferët, ashtu edhe për pasagjerët në sediljet e përparme dhe të pasme. Shoferët dhe pasagjerët duhet të kuptojnë se përdorimi i rripave të sigurimit është kryesisht për sigurinë e tyre personale dhe kjo është thelbësore mbi faktin se çfarë do të jenë pasojat e fatkeqësive në komunikacion. Ligji parashikon dënime për shoferët dhe pasagjerët që nuk përdorin rrip të sigurimit, por nuk ka dënim më të madh se pasojat e fatkeqësive të komunikacionit në të cilat pjesëmarrësit nuk kishin të vendosur rrip të sigurimit.
Shumë gjëra sot do të ishin ndryshe, shumë njerëz do të ishin më të lumtur, shumë familje nuk do të ishin në zi, nëse të dashurit e tyre do të respektonin obligimin ligjor për të përdorur rrip të sigurimit. Fatkeqësisht, shumë vonë, më shpesh pas fatkeqësisë në komunikacion me pasoja fatale, pyesim veten: “A ka vozitur shpejt?”, “A ishte nën ndikimin e alkoolit?”, “A kishte të vendosur rrip të sigurimit?” Prandaj, mendoni me kohë, përdorni rrip të sigurimit! Gjithmonë dhe kudo, madje edhe në udhëtimet më të shkurtra vendosni rrip të sigurimit, për sigurinë tuaj – thekson Gordana Kozhuvarovska, kryetare e KRSKRR-së.
Hulumtimet nga organizatat ndërkombëtare relevante tregojnë se 50% e shoferëve që humbën jetën në rrugë, vdiqën meqë nuk përdorën rrip të sigurimit, përkatësisht hulumtimet tregojnë se rripi i sigurimit e zvogëlon rrezikun e pasojave fatale në fatkeqësinë e komunikacionit për 50%.
Prandaj, KRSKRR-ja me thirrje: VENDOS RRIP TË SIGURIMIT!
#VENDOSRRIPTËSIGURIMIT