Статистика и совети за поголема безбедност на пешаците во сообраќајот – Statistika dhe këshillat për siguri më të madhe të këmbësorëve në komunikacion
Statistika e zezë për vitin 2017 tregon se 34 këmbësorë humbën jetën në fatkeqësi komunikacioni, nga të cilët, madje 17 janë mbi moshën 65 vjeç dhe më shumë se 900 janë lënduar rëndë. Njëra nga arsyet pse këmbësorët pësojnë kaq shumë në komunikacion, përveç shoferëve të papërgjegjshëm dhe infrastrukturës joadekuate të komunikacionit, është sigurisht edhe mosrespektimi i rregullave të komunikacionit.
Fatkeqësisht, çdo ditë mund të shohim këmbësorë që kalojnë rrugën jashtë vendkalimit për këmbësorë, në semafor të kuq për këmbësorë, duke lëvizur midis dy korsish, midis automjeteve në lëvizje, por edhe këmbësorë që nuk i ndjekin fare ngjarjet e komunikacionit për shkak të telefonit celular ose dëgjimit të muzikës. Mbajtja e panevojshme e rrugës është një dukuri e rregullt, veçanërisht nga këmbësorët e moshuar.
Këmbësorët janë grupi pjesëmarrës më masiv dhe më i prekshëm në komunikacion, dhe si i tillë, përshtypja e përgjithshme që lënë është mungesa e ndjenjës së pjesëmarrjes së tyre aktive në komunikacion dhe mungesa e përgjegjësisë se edhe për ta vlejnë rregullat e komunikacionit që detyrimisht duhet të respektohen.
Përveç asaj që u theksua, analzat e KRSKRR-së dhe statistika tregojnë se numri i këmbësorëve që pësojnë në fatkeqësitë e komunikacionit që ndodhin pikërisht në vendkalimin për këmbësorë është shumë i madh. Pra, obligimi i shoferëve është që gjithmonë të lëvizin me kujdes të veçantë kur i afrohen një vendkalimi për këmbësorë, për të zvogëluar shpejtësinë dhe për t’i lënë këmbësorët të kalojnë vendkalimin për këmbësorë, por kjo nuk do të thotë që këmbësorët kanë të drejtën absolute të kalojnë të parët në rrugë. Përkundrazi, këmbësori ka të drejtë të kalojë rrugën në vendkalimin për këmbësorë, pasi të jetë siguruar që mund ta bëjë pa e rrezikuar zhvillimin e sigurt në komunikacion, përkatësisht pasi të bindet se automjetet që lëivizin në rrugë kanë mundësi me kohë dhe në mënyrë të sigurt të ndalen. Mosrespektimi i këtij rregulli nga shoferët dhe këmbësorët është shkaku më i madh i fatkeqësive të komunikacionit në të cilat pësojnë këmbësorët.
Analizat tregojnë, gjithashtu, se këmbësorët janë pjesëmarrësit më pak të sanksionuar dhe më pak të kontrolluar në komunikacion. Sjellja e tyre në komunikacion i lihet përgjegjësisë personale, vetëdijes dhe ndërgjegjes, si dhe kulturës së komunikacionit të secilit këmbësor që merr pjesë në komunikacion.
Duke pasur parasysh këtë situatë, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor u bën thirrje këmbësorëve për pjesëmarrjen e tyre me përgjegjësi në komunikacion dhe u kujton atyre se pjesëmarrja e kujdesshme në komunikacion nuk është shqetësim vetëm i shoferëve të automjeteve, por edhe i këmbësorëve. Çdo këmbësor ka për obligim të kujdeset për sigurinë e tij dhe të japë kontributin personal në rrjedhën e papenguar të komunikacionit.
KRSKRR-ja kujton se respektimi i rregullave të komunikacionit është obligim i secilit pjesëmarrës në komunikacion, përfshirë këtu edhe këmbësorët. Në pajtim me këtë, këmbësori gjithmonë duhet të ecë në trotuar, të kalojë rrugën në vendkalimin për këmbësorë, pasi të jetë siguruar që automjetet që lëvizin në rrugë mund të ndalen të sigurt, të respektojnë dritën e kuqe dhe jeshile në semafor, mos të mbahet në mënyrë të panevojshme rruga, mos të ndalet dhe mos të lëviz në mes të dy korsive, të jetë gjithmonë i kujdesshëm dhe i përqendruar në komunikacion, etj.
Hapi i parë dhe më i rëndësishëm drejt sigurisë më të madhe të këmbësorëve në komunikacion është ndërgjegjësimi dhe marrja e shprehive të mira të komunikacionit, respektimi i rregullave të komunikacionit, kultura më e madhe e komunikacionit dhe toleranca më e madhe reciproke midis këmbësorëve dhe shoferëve.
Analizat e KRSKRR-së tregojnë se këmbësorët më shpesh pësojnë në fatkeqësi komunikacioni në kushte të dukshmërisë së zvogëluar (shi dhe mjegull), në orët e hershme të mëngjesit dhe në orët e vona të mbrëmjes, në rrugë të pandriçuara ose në vendkalime të pandriçuara për këmbësorë, dhe kjo është arsyeja pse KRSKRR-ja tregon nevojën e përdorimit të jelekut reflektues ose pajisje të tjera reflektuese nga këmbësorët.
Njëherazi, KRSKRR-ja kujton: rregulli i artë që vlen për mbrojtje më të madhe personale dhe siguri më të madhe të çdo këmbësori në komunikacion, një rregull që duhet të zbatohet vazhdimisht është: “Shiko! Bëhu i dukshëm!”