Shpesh i nënvlerësojmë rreziqet në jetë, dhe fatkeqësisht ndonjëherë e “paguajmë” këtë komoditet shumë shtrenjtë. Përdorimi i telefonit celular gjatë ngasjes së automjetit, gjatë drejtimit të biçikletës ose gjatë kalimit të rrugës është rrezik i lartë, një burim serioz rreziku dhe paraqet kërcënim për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve në komunikacion. Shumë fatkeqësi komunikacioni janë pasojë e pjesëmarrjes në komunikacion të shpërqendruar.
Sidoqoftë, në bazë ditore, mund të shohim një numër të madh të shoferëve që ngasin dhe përdorin celular, një numër të madh të çiklistëve që ngasin në rrugët e qytetit me kufje në vesh dhe pa e perceptuar mjedisin e komunikacionit. Situata me këmbësorët nuk është më e mirë, madje edhe më keq. Këmbësorët shkruajnë mesazhe, bëjnë fotografi, flasin në celular, dëgjojnë muzikë dhe kalojnë rrugën ku u përshtatet dhe kur u përshtatet. Në mënyrë që të tërheqim vëmendjen e publikut në këtë “SHPREHI TË KEQE” dhe të imagjinojmë se çfarë bëjmë dhe si sillemi në komunikacion, jua sjellim historinë prekëse të jetës së Emilia T. nga Shkupi, e cila, duke iu përgjigjur një SMS mesazhi derisa po ngiste automjetin e saj, tre vjet më parë, për fat të keq, mori pjesë në fatkeqësi komunikacioni dhe mbeti e lidhur për karrocë invalidi për gjithë jetën. Ajo e rrëfeu incidentin e saj të pafat, duke shpresuar se shumë persona do të mendojnë për sjelljen në komunikacion dhe do ta kuptojnë rrezikun dhe pasojat e kombinimit të rrezikshëm të telefonit celular dhe ngasjes së automjetit. Emilia është nënë e dy fëmijëve të rritur, ajo nuk heq dorë nga jeta, e cila i dha asaj një shans të dytë, por thotë se shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo ditë e kobshme.
– Asnjëherë nuk kam menduar që një fatkeqësi e tillë mund të më ndodhë dhe se do të jem e lidhur me karrocë invalidi, por këto disa vite kam arritur ta pranoj atë dhe kam vazhduar të jetoj normalisht, për aq sa mundem. Atë ditë, po kthehesha nga puna, isha e lodhur dhe thjesht doja të kthehesha në shtëpi sa më shpejt që të ishte e mundur. Para se të vazhdoj t’ju tregoj për ditën e kobshme, duhet të jem e sinqertë dhe të them se kam përdorur vazhdimisht celularin tim gjatë ngasjes dhe kam qenë gjithmonë e sigurt që kisha kontroll mbi automjetin dhe çfarë po ndodhte në komunikacion, por fatkeqësisht gabova dhe çmimi që paguaj unë dhe familja ime është me të vërtetë i lartë, thotë Emilia me lot në sy.
Me një zë të dridhur, ajo vazhdon ta përshkruajë atë moment në detaje, megjithëse, siç thotë ajo, e kujton fatkeqësinë sikurse përmes një mjegulle.
– Kur e kujtoj atë ditë, më duket sikur kam një mjegull para syve. Kam marrë një mesazh në telefon, nuk hezitova të marrë celularin tim, lexova mesazhin, i cili ishte dërguar nga mikesha ime më e mirë, për të konfirmuar marrëveshjen time të drekës që duhej të kishim këtë fundjavë. Shikova para meje dhe isha e sigurt se nuk isha në rrezik në rrugë dhe mund t’ia kthej mesazhin. Po ngisja rreth 90 kilometra në orë, derisa po shkruaja mesazhin dhe në një moment e ngrita shikimin dhe pashë një qen në rrugë, më kapi panika dhe instinktivisht ktheva timonin… Gjëja tjetër që mbaj mend është se u zgjova në spital, thotë Emilia. Duke e shmangur qenin, Emilia e goditi shtyllën me automjetin e saj. Nga goditja e fortë, theu një rruazë të qafës, nga e cila mbeti invalid.
– Nga goditja m’u thyen rruazat e qafës dhe fatkeqësisht një nga ato rruaza është rruaza që më lidhi për karrocën e invalidit. Kur e mora vesh, ishte “goditja” më e vështirë për mua në jetën time, por me ndihmën e familjes dhe profesionistëve të mi, isha në gjendje të pranoja se nuk do të mund të ecja më kurrë. Me storjen time të jetës dua të dërgoj një mesazh dhe një thirrje për të gjithë shoferët, që të mos përdorin celularin e tyre derisa janë në automjet, të ngasin me kujdes dhe të përqendruar, gjithçka tjetër mund të presë. Ato pak sekonda që nuk i kushtojmë vëmendje komunikacionit dhe kur shikojmë celularin, mund të na ndryshojnë jetën përgjithmonë, si në rastin tim. Kam pasur fatin të kem mundësi t’i shoh përsëri fëmijët e mi, por disa fatkeqësisht nuk e kanë atë fat. Lërini celularët, përqendrohuni në komunikacion, sepse çdo sekondë është e rëndësishme, mbaroi Emilia.
Shumë persona sot mund të më dënojnë për ngasjen e shpejtë dhe për shkrimin e një mesazhi, më besoni, as unë nuk mund ta fal veten, por duhet të jetohet – tha Emilia edhe një herë për në fund me lot në sy.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, në lidhje me përdorimin e telefonave celularë derisa marrin pjesë në komunikacion, thekson se, për fat të keq, pjesëmarrësit në komunikacion shpesh e nënvlerësojnë rrezikun e një sjelljeje të tillë në komunikacion, e cila është arsyeja për një numër të madh të fatkeqësive në komunikacion me pasoja fatale dhe apeloi edhe një herë me një mesazh për pjesëmarrje të përgjegjshme në komunikacion, përqendrim dhe fokus dhe ndjekje të kujdesshme të zhvillimeve në komunikacion. Ata theksuan se storja e jetës së Emiliasë është me të vërtetë prekëse, dhe se për fat të keq, ajo nuk është i vetmi shembull i tillë dhe u bënë thirrje qytetarëve të tjerë të marrin mësim nga kjo storje e trishtuar e jetës së Emiliasë dhe familjes së saj.