Новини во Законот за безбедност на сообраќајот на патиштата кои треба да ги знаат учесниците во сообраќајот – Risitë në Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor të cilat duhet t’i dinë pjesëmarrësit në komunikacion
Ligji për siguri në komunikacionin rrugor, si edhe çdo ligj tjetër, është materie e gjallë që vazhdimisht ndryshohet dhe plotësohet në përputhje me kushtet e krijuara rishtas dhe gjendjet dhe nevojat e konstatuara faktike në zbatimin e tij të përditshëm.
Në mënyrë që të informohen pjesëmarrësit në komunikacion, KRSKRR-ja i shpjegon ndryshimet më të reja të LSKRR-së të cilat tashmë kanë hyrë në fuqi.
Në radhë të parë, Ligji për siguri në komunikacionin rrugor harmonizohet me Ligjin për kundërvajtje, i cili në pjesën më të madhe e zvogëlon lartësinë e sanksioneve të parapara me para për kundërvajtjen e kryer në komunikacion. Është e rëndësishme të theksohet se për këto kundërvajtje të komunikacionit që bëjnë pjesë në grupin e kërcënimeve për jetën (ngasja nën ndikimin e alkoolit, mosrespektimi i rregullave të kufizimit të shpejtësisë, etj.) lartësia e sanksioneve të parapara me para për kundërvajtjen e kryer mbetet e pandryshuar. Prandaj, përveç kundërvajtjeve të theksuara të përkufizuara si kërcënime për jetën, për kundërvajtjet e tjera, sanksioni më i lartë me para për personin fizik, për kundërvajtjen e kryer në komunikacion, është 250 euro në kundërvlerë me denarë.
Risi në pjesën e sanksionimit është heqja e të ashtuquajturave “pikat negative” të cilat deri më tani janë regjistruar si zëvendësim për sanksionin e shqiptuar me para për kundërvajtjen e kryer në komunikacion.
Përveç kësaj, ndryshimet në LSKRR-në parashikojnë edhe një sërë risish të tjera, nga të cilat veçohet rregullimi i pjesëmarrjes në komunikacion me trotinet elektrik. Si dispozita më të rëndësishme me të cilat rregullohet pjesëmarrja në komunikacion me trotinet elektrik janë si vijon:
• Drejtuesi i trotinetit elektrik është i detyruar ta drejtojë trotinetin nëpër
shtegun e biçikletave ose korsinë e biçikletave, dhe nëse ato nuk janë të ndërtuara,
në shtegun e këmbësorëve, përkatësisht në sipërfaqen tjetër të dedikuar për lëvizjen e këmbësorëve.
(ndalohet lëvizja e trotinetit në rrugë)
• Drejtuesi i trotinetit elektrik nuk guxon të lëvizë në shtegun e biçikletave
përkatësisht në korsi me shpejtësi më të madhe se 25 km / orë, ndërsa në trotuar, shtegun e këmbësorëve
ose sipërfaqen tjetër të dedikuar për lëvizjen e këmbësorëve,
nuk guxon të lëvizë me shpejtësi më të madhe se 6 km / orë.
• Trotineti elektrik mund të drejtohet nga personi i cili ka mbushur 14 vjeç.
• Drejtuesi i trotinetit elektrik duhet të mbajë helmetë mbrojtëse në kokë gjatë kohës
së drejtimit të trotinetit (duhet, por nuk ka sanksion për mosmbajtje)
• Drejtuesi i trotinetit elektrik, nga muzgu i parë deri në agimin e plotë, si
dhe në kushtet e shikueshmërisë së zvogëluar, është i detyruar të veshë jelek reflektues gjatë kohës së drejtimit të trotinetit.
• Trotineti elektrik detyrimisht duhet të ketë dritë me ngjyrë të bardhë në
pjesën e përparme dhe dritë me ngjyrë të kuqe në pjesën e pasme”.
Risi tjetër në LSKRR-në është se kufiri i moshës për lëshimin e patentë shoferit është 75 vjeç, në vend 70 vjeç siç ishte më parë me faktin se shoferi i automjetit që ka mbushur 75 vjeç, i nënshtrohet detyrimisht kontrollit shëndetësor në intervalet kohore që nuk mund të jenë më të gjata se pesë vjet.
Gjithashtu, Ligji parashikon edhe mundësinë e marrjes së automjetit deri në 90 ditë.
Sipas ndryshimeve të LSKRR-së, nëpunësi policor mund të heq automjetin nga komunikacioni dhe ta marrë përkohësisht automjetin, deri në konstatimin e rregullshmërisë teknike, por jo më shumë se tre ditë pune.
Nëse konstatohet parregullshmëria teknike e automjetit, që i referohet shkaktimit të zhurmës së madhe ose në rast se patentë shoferi ka skaduar për gjashtë muaj ose më shumë, automjeti merret në kohëzgjatje prej 90 ditësh.
Risi tjetër e rëndësishme është se sipas ndryshimeve të LSKRR-së, nëse shoferi në periudhë prej një viti, pasi t’i është shqiptuar sanksioni – ndalimi i drejtimit të mjetit motorik të kategorisë së caktuar, kryen ndonjë kundërvajtje tjetër në komunikacion për të cilën parashihet sanksioni i kundërvajtjes – ndalimi i drejtimit të mjetit motorik, atëherë do t’i shqiptohet sanksioni i kundërvajtjes – shfuqizimi i patentë shoferit për të njëjtën kategori për të cilën i është shqiptuar sanksioni i kundërvajtjes – ndalimi i drejtimit të automjetit.
Me fjalë të tjera, nëse një shofer për të njëjtën kategori të patentë shoferit, për periudhë prej një viti nga shqiptimi i sanksionit të parë, kryen kundërvajtje tjetër për të cilën parashikohet sanksioni i ndalimit të drejtimit të mjetit motorik, atëherë atij shoferi i merret përgjithmonë patentë shoferi për atë kategori.
Ju përkujtojmë se sanksioni i ndalimit të drejtimit të mjetit motorik vlen për kryerjen e kundërvajtjeve të rënda në komunikacion – ngasja nën ndikimin e alkoolit dhe substancave psikotrope, ngasja në vendbanim me shpejtësi më të madhe se 30 km në orë, etj.)
KRSKRR-ja me thirrje: Ngisni me përgjegjësi dhe respektoni rregullat e komunikacionit!