Të nderuar,
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) dëshiron t’ju përkujtojë se sot hyn në fuqi Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor, i botuar në Gazetën Zyrtare nr. 148 më 06.07.2026.
Me këtë ligj, ndër të tjera, janë bërë ndryshime dhe plotësime në rregullat që e rregullojnë komunikacionin e trotinetëve elektrikë, përkatësisht:
– Është bërë ndryshimi i përkufizimit të këtij lloji të mjetit, si vijon: “Mjet i lehtë elektrik” është mjeti me të paktën dy rrota, i cili lëviz me forcën elektrike me ndihmën e elektromotorit, me ç’rast fuqia e elektromotorit nuk tejkalon më shumë se 0.6 kW, shpejtësia maksimale e projektuar e të cilit nuk është më e madhe se 25 km/orë dhe masa e të cilit pa ngarkesë nuk tejkalon 35 kg;”,
– Mosha minimale e vozitjes së mjetit të lehtë elektrik është rritur në 18 vjeç,
– Shpejtësia maksimale e lëvizjes me mjetin e lehtë elektrik në shtegun, përkatësisht korsinë e biçikletave është e kufizuar në 20 km/orë, ndërsa në shtegun e çiklistëve dhe këmbësorëve, trotuarin, shtegun e këmbësorëve, përkatësisht sipërfaqen tjetër të dedikuar për lëvizjen e këmbësorëve, kufizimi mbetet në 6 km/orë,
– Shoferi i biçikletës, biçikletës me motor ndihmës, mopedit dhe mjetit të lehtë elektrik kur kalon rrugën dhe kur kalon vendkalimin e shënuar të këmbësorëve është i detyruar të shtyjë mjetin nëse nuk ka korsi, përkatësisht shteg të shënuar për atë lloj të mjetit,
– Shoferi i mjetit të lehtë elektrik nuk mund të transportojë persona të tjerë, përkatësisht nuk mund të transportohen persona të tjerë gjatë vozitjes së mjetit. Përveç gjobës për shoferin, parashikohet edhe gjobë për personin që transportohet me mjetin,
– Futet detyrimi për shoferin e mjetit të lehtë elektrik për të mbajtur detyrimisht kaskë mbrojtëse në kokë gjatë vozitjes së mjetit, ndërsa detyrimi për të mbajtur jelek reflektues nga muzgu i parë deri në agimin e plotë, si dhe në kushtet e dukshmërisë së zvogëluar, mbetet në fuqi edhe më tutje,
– Shoferi i mjetit të lehtë elektrik nuk mund të vozit mjetin në komunikacionin rrugor, as të fillojë të vozit mjetin nëse ka alkool në trupin e tij ose nëse tregon shenja të dëmtimit nga alkooli, për të cilat parashikohen gjoba në varësi të përmbajtjes së konstatuar të alkoolit në gjakun e shoferit,
– Përveç gjobave të përcaktuara për shoferët e mjeteve të lehta elektrike, përkatësisht prindi ose kujdestari i fëmijës që ka kryer kundërvajtje, për kundërvajtje të caktuara parashikohet edhe sekuestrimi i përkohshëm i mjetit në kohëzgjatje prej 30 ditë.
Me këtë rast, u bëjmë thirrje të gjithë shoferëve të mjeteve të lehta elektrike, si një nga kategoritë më të cenueshme të pjesëmarrësve në komunikacion, t’i respektojnë vazhdimisht rregullat e komunikacionit me qëllim të uljes së rreziqeve të komunikacionit dhe rritjen e sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Siguria në komunikacion është përgjegjësi e përbashkët – respektimi i rregullave dhe kufizimeve të komunikacionit do të thotë mbrojtja e jetës së njeriut.
Me respekt,
KRSKRR