РСБСП со потсетување: Зимските гуми обезбедуваат стабилност и безбедност при возење во услови на ниски температури и замзрнати коловози – KRSKRR-ja me përkujtim: Gomat e dimrit mundësojnë stabilitet dhe siguri gjatë ngasjes në kushtet e temperaturave të ulëta dhe rrugëve të ngrira
Ekzistojnë pajisje të përshtatshme për secilën sipërfaqe. Për ngasje të sigurt në dëborë, shi, në rrugë të lagura dhe të akullta, është e domosdoshme të përdoren gomat e dimrit ose pajisjet e tjera dimërore të parashikuara me Rregulloren për pajisjen shtesë në automjete.
Studimet tregojnë se për shkak të rrugëve të ngrira dhe të lagura, distanca e frenimit të automjetit në kushtet e dimrit është më e gjatë dhe shpesh e padrejtë nëse nuk përdoren gomat e dimrit ose pajisjet e tjera dimërore.
Në përputhje me LSKRR-në, obligimi për të poseduar pajisje dimërore është i detyrueshëm dhe i referohet çdo automjeti që merr pjesë në komunikacion (pavarësisht nëse është brenda ose jashtë vendbanimit) në periudhën nga 15 nëntor deri më 15 mars të vitit të ardhshëm.
Për automjetet me masë deri në 3500 kg, pajisjet dimërore përfshijnë gomat e dimrit në të gjitha rrotat me thellësi minimale të shtresës prej 4 mm ose gomat e verës në të gjitha rrotat me thellësi minimale të shtresës prej 4 mm dhe zinxhirë dëbore për rrotat drejtuese.
Në pajtim me të theksuarën, ligji mundëson dy opsione, por përvojat dhe faktet tregojnë se përdorimi i gomave të dimrit ofron më shumë përfitime dhe siguri më të madhe në krahasim me kombinimin e gomave të verës dhe zinxhirëve të dëborës. Sipas kësaj, KRSKRR-ja përkujton mbi përparësitë që i sjellin gomat e dimrit:
• Mbrojtja e vazhdueshme. Gomat e dimrit vendosen para fillimit të sezonit të dimrit dhe përdoren gjatë gjithë dimrit. Zinxhirët e dëborës rregullohen sipas nevojës. Kushtet e motit në dimër janë të paparashikueshme dhe në kushte të tilla vendosja e zinxhirëve në rrotat është më e komplikuar krahasuar me zëvendësimin në kohë të gomave. Për më tepër, në dimër, përkundër rrugëve në dukje të thata, dukuri e shpeshtë është shfaqja e akullit në ura, në kthesa të mprehta, në vendet me hije dhe në situata të tilla automjetet me goma të dimrit janë shumë më të sigurta.
• Siguria. Gomat e dimrit nuk janë vetëm goma bore. Gomat e dimrit janë ideale për temperatura nën 7 gradë celsius. Gomat e dimrit janë bërë nga një përzierje e veçantë dhe përmbajnë më shumë gomë natyrale, gjë që i bën më të buta dhe me kontakt më të mirë me bazën në temperatura më të ulëta. Gomat e verës i humbasin vetitë e tyre në temperatura nën 7˚C.
• Ndalimi i sigurt. Në kushtet dimërore në rrugë, distanca e frenimit të automjetit me gomat e dimrit është të paktën 20% më e shkurtër krahasuar me të njëjtin automjet me gomat e verës. Distanca e frenimit të automjetit dhe trajektorja e ndalimit janë thelbësore nëse do të ndodhë fatkeqësi e caktuar në komunikacion dhe cilat do të jenë pasojat prej saj.
• Stabiliteti dhe fuqia. Në kushtet e dimrit, në temperatura të ulëta, gomat e dimrit e rrisin fuqinë e tërheqjes së automjetit edhe kur rruga është e thatë, e lagur ose me dëborë.
• Lëvizshmëria dhe kontrolli. Gomat e dimrit e rrisin lëvizshmërinë dhe kontrollin e automjeteve në temperatura më të ulëta dhe në rrugë me dëborë dhe të ngrira. Gomat e dimrit kanë shtresa më të thella që e shtrydhin ujin dhe borën e lagur. Poret e vogla në sipërfaqen e shkelur të gomave të dimrit janë bërë për të hequr ujin dhe borën dhe për të siguruar qëndrueshmëri më të madhe të automjetit.
• Ekonomizimi. Megjithëse blerja e gomave të dimrit është shpenzim shtesë, është e rëndësishme të theksohet se me zëvendësimin e duhur dhe me përdorimin e duhur të gomave të dimrit dhe të verës, vlera e përdorimit të gomave dyfishohet, që në planin afatgjatë do të thotë edhe kursim të mjeteve.
Për ngasje të sigurt dhe të qëndrueshme në temperatura të ulëta, përdorni goma të dimrit! Kombinimi i gomave të verës dhe zinxhirëve të dëborës gjithashtu siguron nivel të lartë të mbrojtjes në kushtet dimërore në rrugë, por gomat e dimrit sigurojnë nivel më të lartë të sigurisë, stabilitetit dhe ekonomizimit.