“Java Evropiane e Lëvizshmërisë” është aktiviteti, përkatësisht fushata që me iniciativën e Komisionit Evropian, zbatohet çdo vit, në periudhën nga 16 deri më 22 shtator. Fushata ka për qëllim t’i promovojë format alternative të lëvizshmërisë siç janë të ecurit, çiklizmi.
Prandaj, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor në 7 ditët e ardhshme do të realizojë një sërë aktivitetesh për të promovuar dhe mbështetur format alternative të lëvizshmërisë me theks të veçantë në mbështetjen e çiklizmit. Vozitja e biçikletës, ose çiklizmi, si mjet alternativ transporti sjell përfitime të shumta – personale, ekonomike, sociale, ekologjike dhe shumë të tjera. Si rezultat i të gjitha këtyre përfitimeve, njerëzit gjithnjë e më shumë po i zëvendësojnë automjetet e tyre me biçikleta si mënyrë e lëvizjes dhe tranzitimit në destinacionin e dëshiruar. Hulumtimet tregojnë se në dekadën e fundit numri i njerëzve që udhëtojnë në vendin e tyre të punës me biçikletë është rritur vazhdimisht nga dita në ditë dhe është pozitive që ky fenomen të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Para se gjithash, duhet të theksohen përfitimet shëndetësore nga vozitja e biçikletës. Është e njohur se njerëzit që përfshijnë aktivitete fizike në jetën e tyre të përditshme në përgjithësi jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm se të tjerët. Çiklizmi si aktivitet fizik ndihmon në formimin e muskujve, humbjen e peshës, uljen e presionit të lartë të gjakut dhe forcimin e zemrës. Gjithashtu, vozitja e biçikletës është treguar se ndihmon në zvogëlimin e stresit dhe e përmirëson gjumin.
Përfitimet ekologjike të çiklizmit janë gjithashtu mjaft të rëndësishme. Biçikleta si mjet transporti nuk konsumon lëndë djegëse fosile, dhe kështu niveli i gazrave të shkarkimit në ajër zvogëlohet dhe cilësia e ajrit rritet. Që do të thotë se sa më shumë automjete të heqim nga rruga dhe t’i zëvendësojmë me biçikleta, aq më mirë për të gjithë ne, për shëndetin tonë dhe mjedisin në të cilin jetojmë.
Komunikacioni i sigurt dhe i rrjedhshëm: Hulumtimet tregojnë se pjesa më e madhe e udhëtimeve ditore që i bëjmë çdo ditë janë më të shkurtra se 5 kilometra, gjë që i bën ato ideale për t’i kaluar me biçikletë. Përdorimi i biçikletës si mjet transporti ju mundëson t’u shmangeni rrëmujave në rrugë dhe të udhëtoni në mënyrë të sigurt dhe të arrini në destinacionin tuaj më shpejt dhe me më pak nervoza. Të udhëtuarit me biçikletë, gjithashtu, e eliminon një nga problemet më të mëdha të udhëtimit me automjet, dhe ato janë vendet e parkimit.
Përfitimet financiare: Nga aspekti financiar, zgjedhja midis automjetit dhe biçikletës është e qartë. Nëse automjeti kushton disa mijëra euro, një biçikletë mesatare kushton disa qindra. Jo vetëm kaq, biçikleta nuk i ka edhe të gjitha shpenzimet shtesë që i ka automjeti. Karburanti, servisimi, regjistrimi, parkimi, sigurimi dhe shumë më tepër.
Kjo është arsyeja pse KRSKRR-ja përkujton: “Vozitja e biçikletës mund të shpëtojë botën dhe jetën Tuaj ta bëjë më të mirë! Merr guxim, vozit biçikletë!