Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) organizoi Konferencën e Parë Nacionale “Siguria në Komunikacion në Vetëqeverisjen Lokale” më 2 dhjetor 2025, në hotelin “Aleksandar Pallas” në Shkup – ngjarje, e para e këtij lloji, kushtuar avancimit të politikave, praktikave dhe strategjive lokale për përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor në komunat në të gjithë vendin.
Në Konferencë morën pjesë kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e njësive të vetëqeverisjes lokale, si dhe përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv, Ministrisë së Transportit, Ministrisë së Punëve të Brendshme, BNJVL-së dhe KRSKRR-së.
Konferenca kishte për qëllim t’i bashkonte përfaqësuesit e vetëqeverisjeve lokale, institucioneve relevante, opinionit profesional, universiteteve, sektorit joqeveritar dhe ekspertëve në fushën e sigurisë në komunikacion, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, ndarjes së sfidave dhe praktikave të mira që kontribuojnë në uljen e aksidenteve në komunikacion dhe mbrojtjen e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Me prezantimet dhe fjalimet e tyre, ekspertët dhe profesorët e fushës ishin pjesë e Konferencës, ndërsa ngjarja qendrore e saj ishte nënshkrimi i “Deklaratës së përbashkët mbi Sigurinë në Komunikacionin Rrugor” nga kryetarët e komunave të vetëqeverisjes lokale.
Me nënshkrimin e deklaratës së tillë, vetëqeverisja lokale për herë të parë e shpreh qartë gatishmërinë e saj për përpjekjet e përbashkëta, veprimet e koordinuara dhe investimet e vazhdueshme në përmirësimin e situatës së sigurisë në komunikacionin rrugor.
Në Konferencë u trajtuan këto tema:
-
• qasjet moderne në planifikimin dhe menaxhimin e komunikaiconit në bashkësitë lokale,
• roli i komunave në parandalimin e rreziqeve në komunikacion,
• siguria e këmbësorëve, çiklistëve dhe kategorive të cenueshme të pjesëmarrësve,
• zgjidhjet dhe inovacionet infrastrukturore,
• roli i edukimit dhe fushatave në rritjen e ndërgjegjësimit publik.
“Presim që Konferenca të jetë një nxitje e fortë për komunat që të marrin rol aktiv dhe t’i zbatojnë rekomandimet, praktikat dhe përvojat e mira që do të prezantohen në këtë Konferencë. Vetëm me përpjekje të përbashkëta dhe avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mund të krijojmë një mjedis të sigurt në komunikacion për të gjithë qytetarët.” – theksoi kryetari Angellovski.
Konferenca është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të bashkësive lokale më të sigurta dhe fillimit të ndryshimeve strukturore në mënyrën se si komunat e trajtojnë komunikacionin dhe sigurinë e tij.