Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor e filloi fushatën parandaluese verore “Vozit i çlodhur!”, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin e shoferëve për rreziqet e vozitjes së automjetit në gjendje të lodhur, veçanërisht gjatë pushimeve verore kur intensiteti i komunikacionit rritet ndjeshëm.
Fushata ishte realizuar në vendkalimin kufitar Tabanoc, në zonën ndërkufitare midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, ku shoferëve iu dhanë materiale edukative me rekomandime për udhëtim të sigurt, rëndësinë e pushimeve të rregullta gjatë udhëtimeve të gjata, si dhe këshilla për njohjen e shenjave të lodhjes.
Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Serbisë, Ivica Daçiq, drejtori i Policisë, Dragan Vasileviq në MPB-në e Serbisë, drejtori i Agjencisë për Siguri në Komunikacion i Republikës së Serbisë, Branko Stamatoviq, ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, si dhe përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës së Serbisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Fushata do të realizohet edhe këtë vit në bashkëpunim me partnerët në realizimin e saj: Fakulteti i Sigurisë – Shkup, Lidhja Automoto e Maqedonisë, OKTA Helenik Petroleum, Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe bashkëpunëtorët nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Agjencia për Siguri në Komunikacion e Serbisë.
KRSKRR-ja u bën thirrje të gjithë shoferëve që të pushojnë mjaftueshëm para se të nisen për udhëtim, të bëjnë pushim në çdo dy orë vozitje, të pinë lëngje të mjaftueshme dhe të mos vazhdojnë të vozisin nëse ndihen të lodhur ose të përgjumur. Sjellja e përgjegjshme në komunikacion është parakusht për mbërritjen e sigurt në destinacionin e dëshiruar.
Fushata “Vozit i çlodhur!” është pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme të KRSKRR-së për të avancuar kulturën e komunikacionit dhe për të zvogëluar numrin e aksidenteve në komunikacion, përmes edukimit dhe parandalimit.