Sot, më 18.02.2026, në Kavadar u mbajt takimi koordinues i punës midis kryetarit të Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), mr. Goran Angellovski, dhe përfaqësuesve të këshillave komunalë për siguri në komunikacionin rrugor (KKSKRR) nga Rajoni i Tikveshit – Kavadar, Negotinë, Gradsko dhe Demir Kapi, si dhe përfaqësuesve të SPB Veles – Departamenti i Parandalimit.

Qëllimi i takimit ishte avancimi i koordinimit të ndërsjellë, forcimi i kapaciteteve organizative dhe përcaktimi i aktiviteteve prioritare për periudhën e ardhshme në fushën e sigurisë në komunikacionin rrugor.
Fokusi i takimit ishte planifikimi dhe sinkronizimi i aktiviteteve të ardhshme midis nivelit qendror, rajonal dhe lokal, me qëllim të zbatimit më efikas dhe të koordinuar të politikave, programeve dhe fushatave nacionale për rritjen e sigurisë në komunikacion.

Përmes diskutimit të hapur dhe konstruktiv, u shqyrtuan sfidat aktuale me të cilat përballen këshillat komunalë, mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe nevoja për angazhim të shtuar në terren, edukim të vazhdueshëm të qytetarëve dhe vendosjen e qasjes sistematike dhe të qëndrueshme për parandalimin e aksidenteve në komunikacion.
Këto aktivitete janë rezultat i drejtpërdrejtë dhe vazhdim i konkluzioneve dhe deklaratave të miratuara dhe të nënshkruara nga kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale në Konferencën e Parë Nacionale për Siguri në Komunikacionin Rrugor në Vetëqeverisjen Lokale, që u mbajt në dhjetor 2025 në Shkup.