Предадена опрема од РСБСП за потребите на сообраќајната полиција – Pajisjet e dorëzuara nga KRSKRR-ja për nevojat e policisë së komunikacionit
Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se KRSKRR-ja dhe MPB-ja janë shembull i bashkëpunimit dhe mbështetjes pozitive dhe të suksesshme ndërinstitucionale që do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme në të gjitha nivelet dhe në shumë fusha.
Fushatat e parandalimit edukativ, të cilat u realizuan bashkërisht nga KRSKRR-ja dhe MPB-ja në periudhën e kaluar, të mbështetur nga kontrollet e intensifikuara nga policia e komunikacionit, kontribuuan në uljen e numrit të fatkeqësive në komunikacion në vitin 2020.Bashkëpunimi midis KRSKRR-së dhe MPB-së është qëllim i përbashkët dhe obligim ligjor i të dyja institucioneve dhe kjo qasje e punës do të vazhdojë të plotësohet në të ardhmen.
Në përputhje me nenin 374, paragrafi 2 të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, KRSKRR-ja e dedikon një pjesë të mjeteve të tij për modernizimin e pajisjeve të policisë së komunikacionit. Në këtë drejtim, më 08.01.2021, u prezantua dhe u dorëzua pajisje e cila ishte prokuruar nga KRSKRR-ja në pronësi të përhershme të MPB-së, ndërsa për të cilën Ministria e Punëve të Brendshme vlerësoi se do t’u nevojitet për të avancuar kontrollin e komunikacionit rrugor dhe për të avancuar punën e policisë së komunikacionit.
Bëhet fjalë për 15 motoçikleta, markë PIAGGIO Beverly 300, me vitin e prodhimit 2020. Përveç kësaj, u sigurua edhe pajisja shtesë e plotë për motoçikleta dhe u prokuruan edhe 15 komplete të pajisjes mbrojtëse për motoçiklistët, si në vijim: helmeta mbrojtëse dhe kostumi mbrojtës – pantallona, xhaketa, çizme dhe doreza verore dhe dimërore.
“Zbatimi i pajisjeve teknike moderne në procesin e menaxhimit dhe kontrollit të komunikacionit rrugor do të rrisë ndjeshëm efikasitetin e punës së policisë së komunikacionit dhe do të rrisë vëllimin dhe cilësinë e kontrolleve të kryera nga policia e komunikacionit.
Avancimi i vazhdueshëm i punës së policisë së komunikacionit dhe përmirësimi i kapaciteteve të saj ka rëndësi të jashtëzakonshme për përmirësimin e sigurisë në komunikacionin rrugor” – potencoi kryetarja e KRSKRR-së, Gordana Kozhuvarovska me rastin e dorëzimit të pajisjeve në MPB.
“Kam kënaqësinë që në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal të shpreh mirënjohjen për Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor për pajisjet e siguruara për përforcimin e kapaciteteve të njësive kompetente të komunikacionit në MPB”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski gjatë marrjes së pajisjeve të dedikuar për nevojat e policisë së komunikacionit.
Ministri Oliver Spasovski dhe kryetarja e KRSKRR-së, Gordana Kozhuvarovska u shprehën të kënaqur për bashkëpunimin e arritur dhe theksuan se vetëm përmes nivelit të lartë të bashkëpunimit dhe mbështetjes midis të gjitha institucioneve kompetente, Republika e Maqedonisë së Veriut do të rrisë sigurinë në komunikacionin rrugor në nivelin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, që do të nënkuptojë më pak fatkeqësi në komunikacion dhe më pak viktima në fatkeqësitë e komunikacionit.