Возење во зимски услови и на замрзнати коловози – Ngasja në kushtet e dimrit dhe në rrugë të ngrira
Rrugët në kushtet e dimrit zakonisht karakterizohen nga fërkimi i zvogëluar midis gomave dhe rrugës i shkaktuar nga akulli ose bora në rrugë. Fërkimi i zvogëluar përsëri e bën të vështirë kontrollin dhe drejtimin e automjetit (nisja, përshpejtimi, ngadalësimi, kontrolli në kthesa).
Fërkimi midis dy sipërfaqeve të cilat preken është proporcional me madhësinë e sipërfaqeve, ndërsa si term për matjen e fërkimit përdoret “koeficienti i fërkimit” dhe ai mund të ketë vlerë ndërmjet 0 dhe 1. Kështu, për shembull, situata ku fërkimi humbet midis gomave dhe rrugës dhe ka ndodhur humbja e kontrollit të automjetit, përkufizohet me koeficientin 0. Ndërsa situata me koeficientin më të mirë të fërkimit përkufizohet me koeficientin 1. Pra, sa më i mirë kontrolli ndaj automjetit, aq më i lartë është koeficienti i fërkimit. Të gjithë e dimë se është më lehtë të ngasësh automjetin në rrugë të thata, pak më vështirë në rrugë të lagur, ndërsa “makth” i vërtetë është të ngasësh në rrugë të ngrirë. Koeficienti i fërkimit kur ngasni në rrugë të thatë është rreth 0.80 deri në 0.85, në rrugë të lagur rreth 0.45 deri në 0.50, ndërsa kur ngisni në rrugë të ngrira vetëm 0.05 deri në 0.10.
Si të siguroni koeficient më të lartë të fërkimit në kushtet e dimrit
Sigurimi i koeficientit më të lartë të mundshëm të fërkimit është faktor vendimtar për sigurinë gjatë ngasjes në dimër. Si ta fitoni atë?
• Shmangeni kthimin e shpejtë të automjetit, frenimin e shpejtë ose përshpejtimin e shpejtë. Veprimet e tilla kontribuojnë në uljen e mëtejshme të koeficientit të fërkimit, i cili është veçanërisht i rrezikshëm kur ngisni në rrugë të ngrirë dhe shpesh mund të çojë në humbjen e kontrollit të automjetit.
• Para se të dilni për të drejtuar automjetin në kushtet e dimrit, montoni goma të përshtatshme. Gomat e dimrit janë të dizajnuara posaçërisht për të ngasur në rrugë të ngrirë dhe janë shumë më të sigurta se gomat e zakonshme. Vrimat më të thella dhe elasticiteti më i madh në temperaturat e ulëta e rrisin fërkimin midis rrugës dhe gomës.
• E ashtuquajtura ngasja “defansive” është më e theksuar në kushtet e dimrit. Ngasja defansive, ndër të tjera, do të thotë parashikimi se ku mund të presim kushte të vështira dhe ndërmarrjen me kohë të masave parandaluese. Kujdesi shtesë për rrethanat dhe situatën e rrugës, veçanërisht para jush, në mënyrë që të mos shkaktojë nevojën për frenim ose kthim të shpejtë të automjetit e ul ndjeshëm rrezikun e fatkeqësisë në komunikacion në kushtet e dimrit.
• Për të siguruar fërkim maksimal kur ngisni përpjetë, tatëpjetë ose në kthesë, rregulli themelor është ulja e shpejtësisë me kohë. Forcat kinetike që ndikojnë mbi automjetin në këto rrethana e rëndojnë më tej koeficientin e fërkimit dhe kontrolli mund të humbet lehtësisht.
Reagimi në rast të humbjes së kontrollit
Nëse kontrolli humbet, pavarësisht nga të gjitha masat dhe kujdesit të ndërmarrë dhe automjeti fillon të rrëshqasë në rrugë, reagimi fillestar është shtypja e frenit. Por, përballë këtij reagimi instiktiv, rekomandohet lirimi i frenit. Kjo është mënyra më e lehtë për të rimarrë kontrollin dhe korrigjuar drejtimin e lëvizjes së automjetit.
Nisja
Kur niseni në rrugë të ngrirë, gjëja më e rëndësishme është që butësisht ta lëshoni pedalen e friksionit dhe të shtoni gaz. Rrëshqitja e lehtë në këto situata është e pashmangshme, por nuk është diçka për t’u frikësuar.
Frenimi
Kur frenoni, lindin probleme që i zgjidhni fillimisht duke e shtypur pedalen e friksionit dhe më pas butësisht duke e shtypur frenin. Lejoni që automjeti vetë të ulë shpejtësinë si rezultat i fërkimit për t’iu shmangur fatkeqësisë së mundshme.
KRSKRR-ja me këshilla: Në kushtet e dimrit dhe në rrugët e ngrira, ngisni me kujdes, të përqendruar dhe me shpejtësi të zvogëluar! #NGASMEPËRGJEGJËSI!