РСБСП со апел: Пешаците често страдаат во сообраќајните незгоди, бидете внимателни! – KRSKRR me thirrje: Këmbësorët shpesh pësojnë në fatkeqësitë e komunikacionit, jini të kujdesshëm!
Statistikat tregojnë se këmbësorët, veçanërisht këmbësorët e moshuar, mbeten një nga grupet më të prekura dhe më të rrezikuara të pjesëmarrësve në komunikacion.
Prej 25 deri në 30% të numrit të përgjithshëm të personave të vdekur në fatkeqësitë e komunikacionit janë këmbësorë. Fatkeqësisht, përkundër faktit se i përkasin grupit që janë më të prekur dhe më të rrezikuar të pjesëmarrësve në komunikacion, këmbësorët janë në të njëjtën kohë edhe pjesëmarrësit më të padisiplinuar në komunikacion. Këmbësorët marrin pjesë në komunikacion duke i realizuar aktivitetet e tyre të përditshme dhe problemi kryesor është se këmbësorëve u mungon ndjenja se ata janë pjesëmarrës aktivë në komunikacion dhe se edhe për ta vlejnë rregullat e komunikacionit që duhet t’i respektojnë.
Këmbësorët janë grupi më masiv dhe më i prekshëm i pjesëmarrësve në komunikacion, dhe në të njëjtën kohë edhe grupi më pak i kontrolluar dhe më pak i sanksionuar.
Mund të thuhet gjithashtu se edhe shoferët nuk i respektojnë këmbësorët si pjesëmarrës të barabartë dhe të prekshëm në komunikacion, dhe për fat të keq pasoja e një qasjeje të tillë është prej 30 deri në 35 këmbësorë të vdekur në fatkeqësitë e komunikacionit mesatarisht në vjet, me ç’rast më shumë se 50% të këmbësorëve të vdekur janë personat e moshuar mbi 60 vjeç.
Për kalimin e sigurt të rrugës, kërkohet respektimi maksimal dhe i plotë i rregullave të komunikacionit, si nga këmbësorët, dhe natyrisht, edhe nga shoferët.
Fatkeqësisht, çdo ditë mund të shohim këmbësorë që kalojnë rrugën jashtë vendkalimit për këmbësorë, në semaforin e kuq, duke lëvizur midis dy korsish, midis automjeteve në lëvizje, por edhe këmbësorë që aspak nuk i ndjekin ngjarjet e komunikacionit për shkak të telefonit celular ose duke dëgjuar muzikë. Të qëndruarit e panevojshëm dhe të gjatë në rrugë është dukuri e rregullt, veçanërisht nga këmbësorët e moshuar.
Kjo sjellje e këmbësorëve në komunikacion rezulton me një numër të madh personash të vdekur dhe të lënduar. Kjo nuk do të thotë që shoferët nuk kanë përgjegjësi dhe faj. Përkundrazi, statistika e zeza është pasojë e mosrespektimit të rregullave të komunikaiconit, si nga këmbësorët, ashtu edhe nga shoferët.
Në përputhje me këtë, KRSKRR-ja përkujton: Është obligim i shoferëve të lëvizin me kujdes të veçantë sa herë që i afrohen vendkalimit për këmbësorë, të zvogëlojnë shpejtësinë dhe t’i lënë këmbësorët të kalojnë rrugën në vendkalimin për këmbësorë, por kjo nuk do të thotë që këmbësorët kanë të drejtë absolute në kalim. Përkundrazi, këmbësori ka për detyrë të kalojë rrugën në vendkalimin për këmbësorë pasi të jetë siguruar se mund ta bëjë këtë pa e rrezikuar rrjedhën e sigurt të komunikacionit, përkatësisht pasi të jetë siguruar që automjetet që lëvizin në rrugë janë në gjendje të ndalen në mënyrë të sigurt dhe me kohë. Mosrespektimi i këtij rregulli nga shoferët dhe këmbësorët është shkaku më i madh i fatkeqësive të komunikacionit në të cilat pësojnë këmbësorët.
Përgjegjësia personale, vetëdija dhe ndërgjegjja, kultura e komunikacionit, toleranca dhe respektimi maksimal i rregullave të komunikacionit nga secili pjesëmarrës në komunikacion, është mënyra e vetme për të zvogëluar numrin e personave të vdekur dhe të lënduar në fatkeqësitë e komunikacionit. Përndryshe, për fat të keq, herët a vonë, direkt ose indirekt do t’i ndiejmë pasojat e pjesëmarrjes së papërgjegjshme në komunikacion.