Vozitja e automjetit është një nga aktivitetet më komplekse që njeriu i kryen, sepse ai kërkon kryerjen e shumë operacioneve dhe veprimeve në një periudhë të shkurtër kohore. Për shembull, në një minutë, nga shoferi në situata të caktuara të komunikacionit kërkohet t’u përgjigjet aktiviteteve të shumta dhe njëkohësisht të marrë vendime të sakta për to.
Në komunikacion, ekziston nevoja për t’i aktivizuar të gjitha shqisat, me ç’rast shikimi dhe dëgjimi janë ndër shqisat më të ngarkuara. Përdorimi i telefonit celular gjatë vozitjes së automjetit i ngarkon më tej këto shqisa, e zvogëlon aftësinë për të reaguar dhe në mënyrë të pashmangshme ndikon në rënien e përqendrimit të shoferit. Nuk ka shofer që nuk e di se të folurit në telefon celular të largon vëmendjen nga ngjarjet e komunikacionit dhe se të shkruarit e mesazheve gjatë vozitjes së automjetit është i rrezikshëm. Të gjithë shoferët e dinë, një numër i madh i tyre e kanë ndier këtë rrezik, por pavarësisht kësaj, shumë prej tyre e përdorin telefonin celular çdo ditë kur janë në timon.
Përdorimi i telefonave celularë gjatë vozitjes së automjetit është i rrezikshëm, veçanërisht përdorimi i smartfonëve për të shkruar mesazhe, për të shfletuar përmbajtje në internet, për të përdorur aplikacione, si Fejsbuku, Instagrami dhe të ngjashme. Në të njëjtën kohë, hulumtimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se përdorimi i telefonit celular gjatë vozitjes së automjetit e rrit rrezikun e aksidentit në komunikacion nga katër deri në nëntë herë.
Përdorimi i telefonit celular dhe të shkruarit e mesazheve gjatë vozitjes së automjetit është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, për të cilën është paraparë gjobë prej 40 euro në kundërvlerë me denarë dhe ndërlidhet me një sërë aksidentesh të shkaktuara në komunikacion (dalja nga rruga, kalimi në korsinë për lëvizjen e automjeteve nga drejtimi i kundërt, dhe ngjashëm).
Pak më i vogël është rreziku i shkaktimit të aksidentit në komunikacion kur përdoret e ashtuquajtura pajisja “hends-fri”, ku të dyja duart e shoferit janë në timonin e automjetit.
Por, çfarë ndodh me përqendrimin dhe vëmendjen e shoferit?
Shtrohen pyetjet: Çfarë është ajo që nuk mund të pres të paktën deri në vendin e caktuar ku mund të ndaloni në mënyrë të sigurt automjetin tuaj dhe të flisni në celular? Nëse duke ikur nga rrëmuja dhe duke qenë të rrethuar me njerëz i lini me vetëdije bisedat telefonike për momentet kur do të jeni vetëm pas timonit?
A jeni të vetëdijshëm për rrezikun që ekspozoni veten, jetën tuaj, jetën e të dashurve tuaj dhe jetën e çdo pjesëmarrësi tjetër në komunikacion – për faktin se nuk jeni në gjendje të përmbaheni dhe mos ta përdorni telefonin tuaj celular kur jeni pas timonit?
A e dini se të shkruarit e mesazheve gjatë vozitjes së automjetit është i barabartë me vozitjen me sy të mbyllur për 6 (gjashtë) sekonda, gjatë së cilës automjeti me shpejtësi prej 60 km/h përshkon 100 metra?
A është ajo për të cilën flisni në telefonin tuaj celular më i rëndësishëm për ju sesa të mbërrini të shëndetshëm, të gjallë dhe të sigurt në destinacionin e dëshiruar?
Prandaj, KRSKRR-ja bën thirrje: Kur vozitni, lëreni telefonin tuaj celular. Jeta, shëndeti dhe siguria le të jenë gjithmonë në rend të parë.
Vozit Me Përgjegjësi!!!