Statistika e zezë për motoçiklistët e vdekur në fatkeqësi komunikacioni është shqetësuese. Pra, të dhënat statistikore për vitin 2020 tregojnë se vitin e kaluar 125 persona humbën jetën në fatkeqësi komunikacioni, nga të cilët 18 janë motoçiklistë.
Më saktë, në vitin 2020, në rrugët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, vdiqën 4 shoferë të mopedit (kapaciteti i motorit deri në 50 cm/3), 4 shoferë të motoçikletës me kapacitet deri në 125 cm/3 dhe 10 shoferë të motoçikletës me kapacitet mbi 125 cm/3. Për më tepër, në vitin 2020, lëndime të rënda trupore morën: 55 shoferë të mopedëve, 19 shoferë të motoçikletave me kapacitet deri në 125 cm/3 dhe 84 shoferë të motoçikletave me kapacitet mbi 125 cm/3, përkatësisht në vitin 2020, u lënduan rëndë gjithsej 158 motoçiklistë.
Situata me sigurinë e motoçiklistëve në komunikacion është shqetësuese duke pasur parasysh faktin se në Maqedoninë e Veriut motoçikletat përfaqësojnë rreth 2% të numrit të përgjithshëm të mjeteve – pjesëmarrës në komunikacionin rrugor, ndërsa në vitin 2020, rreth 15% të numrit të përgjithshëm të personave të vdekur në fatkeqësi komunikacioni janë motoçiklistë. Duhet theksuar më tej se, përkundër faktit se nuk ka kufizime ligjore, për shkak të kushteve të motit, motoçiklistët marrin pjesë në komunikacion vetëm 6 muaj në vit.
Shpejtësia e papërshtatshme e ngasjes dhe mospërdorimi i pajisjeve mbrojtëse dhe helmetës mbrojtëse janë arsyet kryesore për pasojat tragjike të fatkeqësive të komunikacionit në të cilat marrin pjesë motoçiklistët. Një faktor shtesë i rrezikut është qëndrimi i pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion që nuk u kushtojnë vëmendje motoçiklistëve dhe nuk i respektojnë si pjesëmarrës të barabartë në komunikacion.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor me këshilla për motoçiklistët:
• Gjithnjë mbani helmetë mbrojtëse, jelek reflektues dhe pajisje të tjera mbrojtëse
• Uleni shpejtësinë
• Përdorni treguesit e drejtimeve
• Mbani distancë të sigurt
• Përdorni të dy frenat në mënyrë të duhur
• Shmanguni “këndeve të vdekura”
• Mos ngisni sllallom dhe parakaloni siç duhet
• Mos ngisni nën ndikimin e alkoolit ose substancave të tjera psikotrope
• Ngisni mjetin në mënyrë që nuk e zvogëlon qëndrueshmërinë e tij
• Jini të përqendruar dhe të kujdesshëm. Mos ngisni kur jeni të lodhur dhe bëni pushime më shpesh.
KRSKRR-ja me thirrje për motoçiklistët: Motoçiklistët e vërtetë janë pjesëmarrës të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm në komunikacion, gjithnjë i respektojnë rregullat e komunikacionit dhe përdorin rregullisht helmetë dhe pajisje të tjera mbrojtëse. Ji motoçiklist i vërtetë!
#JIMOTOÇIKLISTIVËRTETË! #MBAJHELMETË!