РСБСП со порака: Иднината на одржливата мобилност е во твои раце! Вози велосипед! – KRSKRR-ja me porosi: Ardhmëria e lëvizshmërisë së qëndrueshme është në duart tuaja! Ngas biçikletë!
“European Mobility Week” – “Java Evropiane e Lëvizshmërisë” është aktiviteti, përkatësisht fushata që me iniciativë të Komisionit Evropian, zbatohet çdo vjet, në periudhën prej 16 deri më 22 shtator. Fushata synon të promovojë forma alternative të lëvizshmërisë si ecja, çiklizmi dhe përdorimi i transportit publik.
Në pajtim me këtë, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor në 7 ditët e ardhshme do të zbatojë një sërë aktivitetesh për të promovuar dhe mbështetur format alternative të lëvizshmërisë me theks të veçantë në mbështetjen e çiklizmit.
Të drejtuarit e biçikletës, ose çiklizmi, si mjet transporti alternativ sjell me vete shumë përfitime – personale, ekonomike, sociale, ekologjike dhe shumë të tjera. Si rezultat i të gjitha këtyre përfitimeve, njerëzit gjithnjë e më shumë po i zëvendësojnë automobilat e tyre me biçikleta si një mënyrë e lëvizjes dhe tranzitimit në destinacionin e dëshiruar. Hulumtimet tregojnë se në dekadën e kaluar numri i njerëzve që udhëtojnë në vendin e tyre të punës me biçikleta është rritur vazhdimisht nga dita në ditë dhe është pozitive që ky fenomen të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Derisa shumica e njerëzve janë të vetëdijshëm për përfitimet shoqërore, shëndetësore dhe praktike të çiklizmit, shumë nuk e kuptojnë saktësisht se sa çiklizmi mund të ndikojë në cilësinë e jetës së tyre. Prandaj, KRSKRR-ja ndan disa kontribute kryesore të çiklizmit:
• Së pari dhe më kryesorja, duhet të theksohen përfitimet shëndetësore të çiklizmit. Është e njohur se njerëzit që përfshijnë aktivitete fizike në jetën e tyre të përditshme në përgjithësi jetojnë jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme se të tjerët. Çiklizmi si aktivitet fizik ndihmon në ndërtimin e muskujve, humbjen e peshës, uljen e tensionit të lartë të gjakut dhe forcimin e zemrës. Gjithashtu, çiklizmi është treguar se ndihmon në uljen e stresit dhe përmirësimin e gjumit.
• Përfitimet ekologjike të çiklizmit janë gjithashtu të rëndësishme. Biçikleta si mjet transporti nuk shpenzon lëndë djegëse fosile, dhe kështu niveli i gazrave të shkarkimit në ajër zvogëlohet dhe cilësia e ajrit rritet. Që do të thotë se sa më shumë automobila të heqim nga rruga dhe t’i zëvendësojmë me biçikleta, aq më mirë për të gjithë ne, për shëndetin tonë dhe mjedisin në të cilin jetojmë.
• Komunikacioni i sigurt dhe i rrjedhshëm. Kërkimet tregojnë se shumica e udhëtimeve ditore që i bëjmë çdo ditë janë më të shkurtër se 5 km, gjë që i bën ideale për çiklizëm. Përdorimi i biçikletës si mjet transporti ju lejon t’u shmangeni rrëmujave në rrugë dhe të udhëtoni të sigurt dhe të mbërrini në destinacionin tuaj më shpejt, dhe me më pak nervozë. Çiklizmi gjithashtu e eliminon njërin nga problemet më të mëdha të udhëtimit me automobil, e ky është vendi i parkimit. Me biçikletë, të bërit e shëtitjeve të kota nga gjysmë ore me shpresë për t’u liruar një vend parkimi do të jetë një gjë e së kaluarës.
• Përfitimet financiare. Nga aspekti financiar, zgjedhja midis automobilit dhe biçikletës është e qartë. Derisa automobili kushton disa mijëra euro, biçikleta mesatare kushton disa qindra. Jo vetëm kaq, biçikleta nuk i ka të gjitha shpenzimet shtesë që i ka automobili. Karburanti, servisimi, regjistrimi, parkimi, sigurimi dhe shumë më tepër.
Kjo është arsyeja pse KRSKRR-ja kujton: “Çiklizmi mund të shpëtojë botën dhe ta bëjë jetën Tuaj më të mirë! Guxo, drejto biçikletë!
Java Evropiane e Lëvizshmërisë 2020!