Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, fillon fushatën parandaluese nacionale që synon avancimin e sigurisë së këmbësorëve në komunikacion.
Këmbësorët janë një nga kategoritë më të cenueshme të pjesëmarrësve në komunikacion, ndërsa të dhënat statistikore tregojnë nevojën për edukimin e vazhdueshëm, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe forcimin e sjelljes së përgjegjshme midis të gjithë pjesëmarrësve. Me këtë fushatë, synojmë të inkurajojmë kujdes më të madh, respektimin e rregullave të komunikacionit dhe tolerancën e ndërsjellë midis shoferëve dhe këmbësorëve.
Fushata do të përfshijë një sërë aktivitetesh, duke përfshirë përmbajtjet edukative, ngjarjet publike, punëtoritë, mesazhet mediatike dhe aktivitetet në terren, me theks të veçantë në përdorimin e saktë të vendkalimeve të këmbësorëve, respektimin e sinjalizimit të komunikacionit dhe vëmendjen e shtuar në zonat urbane.
Në kuadër të fushatës do të shënohet edhe “Java e Këmbësorëve” prej 1 deri më 7 prill, gjatë së cilës, në bashkëpunim me MPB-në, do të mbahen punëtoritë parandaluese dhe edukative me këtë kategori të pjesëmarrësve në komunikacion.
U bëjmë thirrje shoferëve që të përshtasin shpejtësinë e lëvizjes, të tregojnë kujdes të shtuar pranë vendkalimeve të këmbësorëve dhe t’u japin gjithmonë përparësi këmbësorëve. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje këmbësorëve që t’i respektojnë rregullat për kalimin e sigurt të rrugës, të përdorin vendkalimet e shënuara dhe të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjes, veçanërisht në kushtet e dukshmërisë së reduktuar.
U bëjmë thirrje veçanërisht këmbësorëve që të shmangin përdorimin e kufjeve, telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë lëvizjes dhe kalimit të rrugës, pasi vëmendja e tyre zvogëlohet dhe rreziku i aksidenteve në komunikacion rritet.
Siguria në komunikacion është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë neve. Vetëm me sjellje të ndërgjegjshme dhe të përgjegjshme mund të kontribuojmë në uljen e aksidenteve në komunikacion dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët. Të mos harrojmë “ÇDO JETË ËSHTË E RËNDËSISHME”.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive për të avancuar kulturën e komunikacionit dhe për të mbrojtur të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.