Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), në bashkëpunim me MPB-në, Fakultetin e Sigurisë – Shkup, si dhe partnerët e tjerë, më 16.11.2025 në Parkun e Qytetit në Shkup e shënuan “Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave nga Aksidentet në Komunikacion”.

Në shënimin e ngjarjes, kryetari Goran Angellovski dhe drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev dërguan së bashku mesazhe të forta për respektimin e jetës dhe për nevojën për të ndërtuar kulturë më të lartë të komunikacionit.
Kryetari Angellovski theksoi se KRSKRR-ja në periudhën e kaluar ka punuar në mënyrë aktive me qasje të re ndaj fushatave përmes edukimit, parandalimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit publik.
“Kjo ditë nuk është vetëm moment pikëllimi – është thirrje. Thirrje për të gjithë ne, qytetarët, shoferët dhe institucionet, të përballemi me realitetin që sjell humbje të reja çdo ditë. Çdo jetë e humbur në rrugë lë gjurmë të thella, jo vetëm te familjet, por edhe te shoqëria. Nuk mjafton vetëm të vajtojmë, duhet të veprojmë”, tha Angellovski.
Në këtë ditë, nuk duhet të harrojmë se siguria në komunikacion nuk është vetëm përgjegjësi individuale, por mision i përbashkët. Në këtë drejtim, drejtori i BSP-së, Aleksandar Janev, e theksoi rëndësinë e partneritetit midis institucioneve dhe qytetarëve.
“Ato jetë nuk janë numra. Ato janë emra, persona dhe histori individuale që përfunduan para kohe. Nuk duhet të lejojmë që rrugët e Maqedonisë të bëhen fushëbetejë më e madhe për jetët e humbura sesa konfliktet e vërteta ushtarake. Kjo është arsyeja pse të gjithë ne si qytetarë, prindër, shoferë, si pjesë e shoqërisë dhe si institucione kemi detyrim të përbashkët për të rritur ndërgjegjësimin, për të ndikuar me shembullin personal dhe përmes bisedave të përditshme për të ndërtuar një kulturë më të mirë të komunikacionit”, theksoi drejtori Janev, duke shtuar se policia është vetëm një hallkë në të gjithë sistemin.
Në kuadër të ngjarjes, u lëshuan simbolikisht tullumbace me numrin 142, që tregon edhe numrin e personave të vdekur në vitin 2024, si dhe një marshim simbolik nëpër Parkun e Qytetit në nder të viktimave në aksidentet e komunikacionit.

Më pas, u shpërndanë fletëpalosje parandaluese dhe edukative me mesazh për të kujtuar vlerën e jetës së njeriut dhe respektimin e rregullave të komunikacionit. Nxënësit e seksionit të komunikacionit të QSHA “Boro Petrushevski” – Shkup morën pjesë në mënyrë aktive në realizimin e kësaj ngjarjeje.
Gjatë ditëve të ardhshme, në qytetet anembanë Republikës, KRSKRR-ja, në bashkëpunim me Këshillat Komunalë (KKSKRR) dhe MPB-në, do të vazhdojë të zbatojë aktivitete për të shënuar “Ditën Botërore të Përkujtimit të Viktimave nga Aksidentet në Komunikacion”.
KRSKRR-ja bën thirrje: Le të jetë dita e sotme kujtesë, por edhe fillim i ri – drejt sjelljes së përgjegjshme, drejt jetës, jo drejt vdekjes – “çdo jetë është e rëndësishme”!