Në kuadër të fushatës “Përdor pajisjet dimërore”, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) i rikujton shoferët e automjeteve për detyrimin ligjor që të kenë pajisje dimërore në automjet (pavarësisht nëse janë të përfshirë në komunikacion në vendbanim ose jashtë vendbanimit) nga 15 nëntori i këtij viti deri më 15 mars të vitit të ardhshëm.
Kushtet e pavolitshme të motit në rrugë (rrugët e lagështa, temperaturat e ulëta, shiu dhe bora, dukshmëria e reduktuar) mund të rrisin kohën e reagimit të shoferëve, t’i shpërqendrojnë ata, të zgjasin distancën e frenimit të automjetit, etj. Prandaj, KRSKRR-ja këshillon që të kontrollohet automjeti dhe të përgatitet për kushtet e dimrit, të respektohet detyrimi ligjor për të mbajtur pajisje dimërore dhe të kontribuojë për pjesëmarrje më të sigurt në komunikacionin rrugor.
KRSKRR-ja u bën thirrje shoferëve të automjeteve:
- jini të kujdesshëm dhe vozitni me përgjegjësi,
- ndiqni informacionet për kushtet e motit në rrugë,
- përshtateni vozitjen sipas kushteve të rrugës,
- respektoni rregullat e komunikacionit dhe sinjalizimin rrugor,
- mbani pajisje dimërore në automjet dhe përdoreni siç duhet,
- bëni kontroll dimëror të automjetit, përkatësisht kontrolloni antifrizin, vajin e motorit, lëngun e fshirësve të xhamit të përparmë, kontrolloni akumulatorin dhe presionin e gomave, siguroni lëng ose sprej për shkrirjen e xhamit, bravave, etj.,
- mbani distancë të madhe ndërmjet automjeteve,
- shmangni frenimin e papritur të automjetit,
- shmangni uljen ose rritjen e papritur të shpejtësisë së automjetit.
KRSKRR-ja bën thirrje: Kontrolloni gatishmërinë e automjetit për kushtet e dimrit në rrugë! Le të kontribuojmë për reduktimin e pasojave të padëshiruara dhe rritjen e sigurisë personale dhe sigurisë së pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.