Viti i ri shkollor fillon më 1 shtator. Me çdo fëmijë që niset për në shkollë, fillon edhe detyrimi ynë i përbashkët – t’i mundësojmë të shkojë atje në mënyrë të sigurt dhe të kthehet në shtëpi në mënyrë të sigurt. Kujdesi për sigurinë e pjesëmarrësve më të vegjël në komunikacion është përgjegjësi e përbashkët për të gjithë ne.
Fillimi i vitit të ri shkollor sjell aktivitet të shtuar në rrugët, veçanërisht pranë shkollave. Një numër i madh nxënësish çdo ditë do të lëvizin në këmbë, me biçikletë ose me transport publik, prandaj është e domosdoshme që të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të tregojnë kujdes, përgjegjësi dhe respekt më të madh për rregullat e komunikacionit.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor u bën thirrje shoferëve, prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve – të jemi të kujdesshëm, të përgjegjshëm dhe solidarë, sepse siguria e çdo fëmije është detyrimi ynë i përbashkët.
Thirrja për shoferët
Në periudhën para dhe pas fillimit të mësimit, shoferët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm pranë shkollave, këndeve të lojërave të fëmijëve dhe vendkalimeve të këmbësorëve.
– Uleni shpejtësinë dhe respektoni kufizimet, veçanërisht në zonat e shkollave.
– Ndaloni dhe jepuni përparësi këmbësorëve që kalojnë ose kanë ndërmend të kalojnë në vendkalimin e këmbësorëve.
– Jini të kujdesshëm ndaj fëmijëve të cilët mund të dalin papritur në rrugë.
– Mos përdorni telefon celular gjatë vozitjes së automjetit.
– Mos parkoni në trotuare, vendkalime të këmbësorëve ose vende të tjera ku e pengoni lëvizjen e nxënësve.
– Respektoni shenjat e komunikacionit dhe sinjalizimin pranë shkollave.
Vozitni me durim dhe pa nxitim – disa sekonda vonesë nuk janë më të rëndësishme se siguria e një fëmije.
Rekomandime për prindërit
Prindërit kanë rol të rëndësishëm në krijimin e shprehive të duhura tek fëmijët, si pjesëmarrës në komunikacion.
Bisedoni me fëmijët rreth rregullave për lëvizje të sigurt në komunikacion, veçanërisht me nxënësit më të vegjël, dhe bashkë kaloni rrugën më të sigurt nga shtëpia deri në shkollë.
Mësoni fëmijët:
– gjithmonë të ecin në trotuar ose në shtegun e këmbësorëve;
– që rrugën të kalojnë vetëm në vendkalimin e shënuar të këmbësorëve, kur është e mundur;
– para se të kalojnë me kujdes të shikojnë në të majtë dhe në të djathtë dhe të sigurohen që kalimi është i sigurt;
– mos të vrapojnë nëpër rrugë dhe mos të dalin papritur në rrugë;
– mos të përdorin telefona celularë, kufje ose pajisje të tjera elektronike që i shpërqendron kur kalojnë rrugën;
– të mbajnë kaskë mbrojtëse kur vozitin biçikletë.
Rekomandime për nxënësit
Fëmijët janë pjesëmarrës në komunikacion veçanërisht të cenueshëm. Prandaj, çdo nxënës duhet të jetë i kujdesshëm dhe t’i respektojë rregullat e komunikacionit.
Mbani mend:
– Shiko dhe ji i dukshëm
– Mos nxito kur e kalon rrugën.
– Kalo në vendkalimin e këmbësorëve dhe respektoji semaforët.
– Kontrollo gjithmonë që automjetet të jenë ndalur përpara se të fillosh kalimin.
– Mos vrapo ose luaj përgjatë rrugës.
– Ki kujdes të veçantë kur zbret nga autobusi ose ndonjë formë tjetër e transportit.
– Nëse shkon me biçikletë, përdor pajisje mbrojtëse të përshtatshme dhe respektoji rregullat për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion.
– Kushtoji vëmendje komunikacionit dhe mos lejo që telefoni, kufjet ose lojërat të të shpërqendrojnë.
Fillimi i vitit shkollor është përkujtesë se siguria në komunikacion nuk është vetëm detyrim i institucioneve. Ajo fillon në shtëpi, konfirmohet në shkollë dhe praktikohet çdo ditë në rrugë.
Shoferë, zvogëloni shpejtësinë. Prindër, bisedoni me fëmijët. Nxënës, respektoni rregullat.
Së bashku mund të kontribuojmë që çdo fëmijë të mbërrijë në shkollë i sigurt dhe të kthehet në shtëpi i sigurt.
Le të fillojë viti i ri shkollor me dije, gëzim dhe siguri!
PËR FËMIJËRI TË SIGURT, PËR RRUGË TË SIGURTA, PËR JETËN!
ÇDO JETË ËSHTË E RËNDËSISHME!
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor Ju uron vit shkollor të mbarë dhe të suksesshëm!