Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor e shënon “Ditën Ndërkombëtare të Kulturës në Komunikacion” si thirrje për përgjegjësi kolektive, ndërgjegjësim dhe pjekuri në sjelljen e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion. Kultura në komunikacion nuk është vetëm çështje e respektimit të rregullave ligjore, por edhe pasqyrim i nivelit të etikës shoqërore, respektit të ndërsjellë, solidaritetit dhe përgjegjësisë njerëzore.
Komunikacioni modern është një sistem kompleks në të cilin siguria varet nga ndërgjegjësimi individual dhe disiplina kolektive. Çdo këmbësor, çiklist, motoçiklist dhe shofer ka rol po aq të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe human në komunikacion. Prandaj, kultura në komunikacion fillon nga shembulli personal – nga durimi, respekti për të tjerët, vëmendja dhe sjellja e përgjegjshme.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të kontribuojnë në mënyrë aktive në ndërtimin e kulturës së komunikacionit që do të bazohet në respektin për jetën njerëzore si vlera më e lartë. Siguria në komunikacion nuk duhet të kuptohet si detyrim individual, por si mision i përbashkët shoqëror dhe interes strategjik i shtetit.
“Dita Ndërkombëtare e Kulturës në Komunikacion” është mundësia për të na kujtuar se çdo sjellje e përgjegjshme shpëton jetë, se çdo normë e respektuar e komunikacionit do të thotë siguri më e madhe dhe se kultura e vërtetë manifestohet pikërisht kur tregojmë kujdes për të tjerët.
Le të ndërtojmë komunikacionin në të cilin ndërgjegjësimi, përgjegjësia, humanizmi dhe respekti i ndërsjellë do të jenë tipar i sjelljes sonë personale.
Komunikacioni i sigurt është pasqyrim i një shoqërie të pjekur dhe të përgjegjshme në të cilën slogani “Çdo jetë është e rëndësishme” duhet të jetë parimi udhëheqës i sjelljes sonë.