Me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor, prania e fëmijëve si këmbësorë dhe pjesëmarrësve në komunikacion po rritet, veçanërisht në zonat përreth shkollave fillore dhe kopshteve. Duke e pasur parasysh cenueshmërinë e tyre dhe aftësinë e kufizuar për të vlerësuar në kohë situatat e komunikacionit, siguria e fëmijëve në komunikacion është përparësi me interesin më të lartë publik.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, i zbaton vazhdimisht aktivitetet parandaluese dhe edukative në kuadër të fushatës “T’i mbrojmë fëmijët në komunikacion”, që synon avancimin e kulturës së komunikacionit dhe rritjen e nivelit të sjelljes së sigurt tek pjesëmarrësit e rinj në komunikacion.
Përmes ligjëratave edukative dhe aktiviteteve praktike në institucionet arsimore, fëmijët fitojnë njohuritë dhe aftësitë themelore për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion. Në të njëjtën kohë, theksohet rëndësia e rolit të prindërve dhe shoferëve si faktorë kryesorë në ndërtimin e shprehive të sigurta dhe sjelljes së përgjegjshme.
Në këtë periudhë të intensitetit të shtuar të komunikacionit, KRSKRR-ja u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë në mënyrë strikte rregullat e komunikacionit dhe të jenë më të kujdesshëm, veçanërisht pranë shkollave, vendkalimeve të këmbësorëve dhe zonave me komunikacion të qetë.
Thirrja për shoferët dhe prindërit
-
• Të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes në përputhje me sinjalizimin e instaluar të komunikacionit dhe kushtet e rrugës.
• Të tregojnë kujdes dhe gatishmëri të shtuar për reagimet e papritura të fëmijëve.
• Të mos parkojnë automjetet në vendet me dukshmëri të reduktuar, veçanërisht pranë vendkalimeve të këmbësorëve dhe hyrjeve të shkollave.
• Të flasin vazhdimisht me fëmijët për lëvizjen e saktë dhe të sigurt në komunikacion dhe të jenë shembull me sjelljen e tyre.
Mesazhe për fëmijët – këmbësorë
-
• Rruga kalohet ekskluzivisht në vendkalimet e shënuara të këmbësorëve.
• Para se të kaloni, është e detyrueshme të ndaloni dhe të shikoni me kujdes në të majtë, në të djathtë dhe përsëri në të majtë.
• Mos vraponi në rrugë dhe kaloni rrugën me ritëm normal.
• Përdorni trotuarin ose shtegun e këmbësorëve, dhe nëse nuk ekzistojnë, lëvizni në anën e majtë të rrugës.
• Mos e përdorni rrugën për të luajtur dhe për të qëndruar.
KRSKRR-ja kujton se mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është rrezik serioz për sigurinë e fëmijëve dhe mund të çojë në pasoja të rënda. Siguria në komunikacion është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon vëmendje, disiplinë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm nga të gjithë.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor bën thirrje:
“Le t’i mbrojmë fëmijët në komunikacion – jeta e çdo fëmije është e rëndësishme”