Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor njofton se nga 26 shtator 2025 fillon zbatimi i ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor, të cilat u miratuan me qëllim të avancimit të sigurisë së kategorive më të cenueshme të pjesëmarrësve në komunikacion dhe për të zvogëluar numrin e aksidenteve në komunikacion si rezultat i sjelljes së pakujdesshme në komunikacion.
Zgjidhjet e reja ligjore po futen në drejtim të eliminimit të disa shprehive tek këmbësorët dhe shoferët e kategorive të caktuara të mjeteve, ndër të cilat i veçojmë:
• “Këmbësori është i detyruar, kur lëviz në rrugë sipas kushteve të përcaktuara nga ky ligj ose kur kalon rrugën dhe shtegun e biçikletave ose korsinë e biçikletave, të lëviz dhe të kalojë me kujdes, pa përdorur pajisje elektronike, të tilla si kufjet në të dy veshët, telefon celular, tablet, orë inteligjente ose çdo lloj tjetër të pajisjeje elektronike që do të zvogëlonte vëmendjen e tij gjatë kalimit të rrugës dhe shtegut të biçikletave ose korsisë së biçikletave.”
• “Shoferi i biçikletës, biçikletës me motor ndihmës, mopedit, motoçikletës, triçikletës, katërçikletës së lehtë dhe katërçikletës, gjatë vozitjes së mjetit, nuk mund të përdorë pajisje elektronike, të tilla si kufjet në të dy veshët, telefon celular, tablet, orë inteligjente ose çdo lloj tjetër të pajisjeje elektronike, të cilat do të zvogëlonin aftësinë e tij për të reaguar dhe për të vozitur mjetin në mënyrë të sigurt, përveç pajisjeve të specializuara të komunikimit të inkorporuara në helmetat mbrojtëse.”
• “Shoferi i trotinetit elektrik, gjatë vozitjes së mjetit, nuk mund të përdorë pajisje elektronike, të tilla si kufjet në të dy veshët, telefon celular, tablet, orë inteligjente ose çdo lloj tjetër të pajisjeje elektronike, të cilat do të zvogëlonin stabilitetin dhe aftësinë e tij për të reaguar dhe për të vozitur mjetin në mënyrë të sigurt, përveç pajisjeve të specializuara të komunikimit të inkorporuara në helmetat mbrojtëse.”
Kjo nënkupton vendosjen e standardeve të reja për sjellje të përgjegjshme në komunikacion, ku këmbësorët, çiklistët, shoferët e trotinetëve elektrikë dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion të parashikuar nga zgjidhja ligjore, janë të detyruar të marrin pjesë në komunikacion pa përdorur pajisjet elektronike që ua shpërqendrojnë vëmendjen.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor thekson se qëllimi i ndryshimeve të tilla ligjore është krijimi i kushteve për siguri më të madhe, zvogëlimi i rreziqeve dhe mbrojtja e jetëve njerëzore.
Në këtë drejtim, Këshilli u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, sepse siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë neve.