Në ambientet e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR) u mbajt takimi i punës me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të KRSKRR-së dhe Byrosë së Zhvillimit të Arsimit (BZHA). Qëllimi i takimit ishte hapat e ardhshëm për zgjerimin dhe thellimin e programeve vjetore të shkollave fillore me tema shtesë në fushën e sigurisë së nxënësve në komunikacion.
Kryetari i KRSKRR-së, mr. Goran Angellovski dhe drejtoresha e Byrosë së Zhvillimit të Arsimit, mr. Millka Trimçevska, shqyrtuan nevojën për zgjerimin dhe plotësimin e përmbajtjeve mbi sigurinë në komunikacion, sepse në përputhje me të dhënat e sigurisë, nxënësit e moshës prej 10 deri në 15 vjeç janë grup vulnerabil në komunikacion, prandaj ekziston nevojë reale për edukimin e tyre të vazhdueshëm.

Në kuadër të programit të zgjeruar shkollor, aktivitetet do të përfshijnë organizimin e ligjëratave edukative, seksioneve dhe punëtorive të komunikacionit, projekteve tematike dhe formave të ndryshme të edukimit praktik, të cilat do t’i njoftojnë nxënësit me rregullat themelore për pjesëmarrje të sigurt në komunikacion në mënyrë interesante dhe të arritshme.
Këto aktivitete do të përshtaten me moshën e nxënësve dhe do të realizohen në kuadër të procesit jashtëmësimor, me theks në rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë tek pjesëmarrësit e rinj në komunikacion, me ç’rast ato do të realizohen pa futur lëndë të re ose orë të detyrueshme, dhe si rezultat, pritet të arrihet përparim i rëndësishëm në fushën e:
• Rritjes së kulturës së komunikacionit tek të rinjtë;
• Zhvillimit të vetëdijes për sjellje të sigurt në komunikacion;
• Respektimit të rregullave të komunikacionit.
Kjo iniciativë krijon mundësi reale për të përmirësuar kulturën e komunikacionit tek të rinjtë pa e ngarkuar procesin mësimor. Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) gjithashtu do të përfshihet në procesin e realizimit të këtij aktiviteti.

Përpjekjet e KRSKRR-së, MASH-it dhe BZHA-së me këtë iniciativë janë të rrisin kulturën dhe edukimin teknik mbi komunikacionin tek të rinjtë që në moshë të hershme, me qëllim të mbështetjes së procesit mësimor dhe rritjes së sigurisë së fëmijëve në komunikacionin rrugor.
Pjesëmarrësit e rinj në komunikacion janë përgjegjësia jonë më e madhe – prandaj po ndërtojmë një të ardhme më të sigurt së bashku!
 
				 
				
 
				