Промоција на прирачник за полагање на стручен испит за работа во автошкола и испитен центар – Promovimi i doracakut për dhënien e provimit profesional për punë në autoshkollë dhe qendrën e provimeve
Praktika dhe përvojat në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në vendin tonë kanë treguar se është e nevojshme të futet një sistem i licencimit të disa profesioneve në sistemin e sigurisë në komunikacionin rrugor, me qëllim të profesionalizmit dhe përgjegjësisë së kuadrit të angazhuar dhe në përgjithësi profesionalizmit dhe cilësisë së punës në autoshkollat dhe qendrat e provimeve, për t’u ngritur në një nivel më të lartë.
Cilësia e trajnimit të kandidatëve për shoferë dhe kontrolli i duhur i njohurive dhe aftësive të tyre ndikojnë shumë nëse shoferët gjatë jetës së tyre, pak a shumë do të sillen në përputhje me rregullat dhe normat e pranuara përgjithësisht të komunikacionit dhe nëse do të marrin pjesë në mënyrë të sigurt në komunikacion.
Për punë cilësore dhe të lartë profesionale, shoferët instruktorë, pedagogët në pjesën teorike dhe anëtarët e komisioneve të provimeve në qendrat e provimeve, duhet të kenë njohuri dhe informata nga disa fusha. Edukimi i vazhdueshëm dhe cilësor i kuadrit profesional në autoshkollat dhe komisionet e provimeve, azhurnimi i vazhdueshëm i njohurive dhe aftësive të tyre është i domosdoshëm për të prodhuar shoferë cilësorë, me përgjegjësi shoqërore dhe mbi të gjitha të ndërgjegjshëm, të trajnuar dhe të sigurt – theksoi Gordana Kozhuvarovska, kryetare e KRSKRR-së në ngjarjen e organizuar për të promovuar doracakun.
Në pajtim me të theksuarën, përkatësisht në përputhje me obligimet që dalin nga Ligji për siguri në komunikacionin rrugor, në periudhën e ardhshme, shoferëve instruktorë, përkatësisht kuadrit profesional të angazhuar në autoshkollat dhe qendrat e provimeve u kërkohet të japin provimin profesional për të marrë licencën përkatëse për të kryer aktivitetin.
Me qëllim që të avancohet dhe lehtësohet i gjithë procesi, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor ka përgatitur “Doracak për dhënien e provimit profesional për punën në autoshkollat dhe qendrat e provimeve”.
Doracaku është një material i sublimuar nga disa fusha dhe disa punime profesionale, dhe është i dobishëm nga njëra anë për edukimin dhe trajnimin e shoferëve instruktorë, dhe nga ana tjetër, ai mund të shërbejë edhe si material për përgatitjen për dhënien e provimit profesional për punën në autoshkollat dhe qendrat e provimeve.
Me rastin e promovimit të Doracakut për dhënien e provimit profesional për punën në autoshkollat dhe qendrat e provimeve, KRSKRR-ja sot organizoi ngjarje publike në të cilën i informoi personat e interesuar nga qendrat e provimeve dhe autoshkollat se Doracaku është në dispozicion në formë të shtypur dhe në formë elektronike dhe se në periudhën e ardhshme do të shpërndahet në të gjitha qendrat e provimeve dhe në një numër të madh të autoshkollave, por theksuan që doracaku është në dispozicion në formë elektronike edhe në faqen e internetit të KRSKRR-së, www.rsbsp.org.mk, në mënyrë që të gjithë personat e interesuar të kenë qasje të lirë për ta përdorur atë.