Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), në kuadër të fushatave për rritjen e sigurisë në komunikacion, filloi me realizimin e fushatës për siguri më të madhe të të rinjve në komunikacion – kushtuar maturantëve, me moton “Në mbrëmjen e maturës pa automjet!”
Fushata ka për qëllim t’u dërgojë një mesazh të fortë të rinjve – mos të ulen pas timonit nëse kanë konsumuar alkool, por të përdorin transportin publik, taksitë, ose të shoqërohen nga të afërmit në mbrëmjen e maturës, përkatësisht mos të vozisin fare automjet.
Me ngjarjen e sotme, e cila u mbajt në shkollën e mesme profesionale të komunikacionit QSHA “Boro Petrushevski” si fillim i fushatës, fillojnë një sërë aktivitetesh në terren të organizuara nga Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, MPB-ja dhe Fakulteti i Sigurisë – Shkup.
Fillimi i fushatës ishte shënuar me një ligjëratë për nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt – maturantë të shkollës, ku nxënësve iu drejtuan Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme, mr. Goran Angellovski, kryetar i KRSKRR-së dhe Aleksandar Strezov, drejtor i QSHA “Boro Petrushevski”.
Ministri Toshkovski e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve për të avancuar kulturën e komunikacionit te të rinjtë dhe bëri thirrje për sjellje të përgjegjshme në komunikacion.
“Mos lejoni veten të vozisni automjet dhe të jeni pjesëmarrës në komunikacion, pa i respektuar rregullat. Rregullat janë shkruar dhe krijuar për të mbrojtur jetën e njerëzve. Nëse të gjithë ne, gjithnjë kur ndalemi në semafor të kuq, kalojmë rrugën, sa herë që hipim në automjet, i respektojmë rregullat, më besoni se të gjithë këtu do të kemi jetë më të mirë. Kushdo që ka shkelur ligjin, dhe ka prova për këtë, do të mbajë përgjegjësi. Askush nuk është dhe nuk mund të jetë mbi ligjin dhe rregullat. Duke i respektuar rregullat, të gjithë ata që i shohim përreth nesh do të jenë më të sigurt në komunikacion”, theksoi ministri Toshkovski.
Kryetari i KRSKRR-së, mr. Goran Angellovski, theksoi se festimet e maturës janë akt solemn i përkujtimit që e përmbyll një pjesë të arsimimit të secilit maturant dhe qëllimi i kësaj fushate është të vetëdijësohen të rinjtë që mos të vozisin automjet dhe mos të konsumojnë alkool gjatë festimeve dhe të ndikojë në uljen e numrit të aksidenteve në komunikacion tek popullsia e re, veçanërisht gjatë kësaj periudhe kur rreziku është rritur.
“Gjatë festimeve të maturës, nuk duhet të konsumoni alkool dhe të vozisni automjet, përkatësisht duhet ta bëni festimin e maturës një akt që do ta mbani mend për shumë vite, përkatësisht gjithë jetën tuaj. Mos të lejojmë që ndonjë sjellje e pavetëdijshme dhe e papërgjegjshme në komunikacion të përfundojë me fund tragjik” – bëri thirrje Angellovski.
Fushata do të vazhdojë gjatë gjithë prillit, majit dhe qershorit përmes një sërë aktivitetesh, të cilat do të realizohen në shkollat e mesme në Maqedoni.
Me këtë fushatë, KRSKRR-ja dërgoi edhe një herë mesazh të qartë:
FESTO, POR BËHU I PËRGJEGJSHËM – JETA ËSHTË NJË, NUK KA ÇMIM!







