Sot, më 6 maj 2025, në ambientet e Radios së Maqedonisë – Radio Shkupi, u mbajt takimi i punës midis Goran Angellovskit, kryetar i Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRR), dhe Natasha Andreeska, kryeredaktore e PPS të MRA – Radio Shkupi. Në takim u bisedua mbi fillimin e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë midis KRSKRR-së dhe Radios së Maqedonisë – Radio Shkupi për të avancuar ndërgjegjësimin dhe informimin publik në fushën e sigurisë në komunikacion.
Kryetari i KRSKRR-së, mr. Goran Angellovski, theksoi se bashkëpunimi me Radion e Maqedonisë do të jetë me interes të veçantë për qytetarët në ndarjen e të gjitha informacioneve nga fushatat e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në spotet, raportet dhe emisionet e përbashkëta për të rritur ndërgjegjësimin publik në drejtim të përmirësimit të situatës në sigurinë rrugore.
Kryeredaktorja e Radios së Maqedonisë – Radio Shkupi, Natasha Andreeska, e përshëndeti iniciativën për bashkëpunim dhe theksoi se Radio e Maqedonisë – Radio Shkupi, si servis publik, është gjithmonë i hapur për bashkëpunim me ata që punojnë në interes të qytetarëve. Ajo theksoi se Radio e Maqedonisë ka traditë të gjatë në avancimin e ndërgjegjësimit publik dhe se bashkëpunimi me KRSKRR-në mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për të dyja palët.
Ky bashkëpunim do të përfshijë edhe projekte të reja mediatike, të cilat do të ofrojnë platforma për dialog, edukim dhe informim të qytetarëve rreth rëndësisë së përgjegjësisë së përbashkët për avancimin e sigurisë së komunikacionit në vend.