Kryetari i Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor në intervistën e Vitit të Ri për Televizionin e Maqedonisë dha pasqyrë për sigurinë në komunikacion gjatë vitit të kaluar. Duke folur për numrin e personave të vdekur gjatë vitit 2024, kryetari Angellovski tha se numri i personave të vdekur në aksidentet e komunikacionit pritet të jetë në të njëjtin nivel me vitin e kaluar, gjë që lë hapësirë për përmirësimin e gjendjes në Vitin e Ri.
Kur bëhet fjalë për aktivitetet që do t’i zbatojë Këshilli gjatë vitit 2025, Angellovski theksoi se KRSKRR-ja mbetet e vendosur në angazhimet dhe përcaktimet e veta, që janë zvogëlimi i aksidenteve në komunikacion me fatalitet, edukimi i pjesëmarrësve në komunikacion, pjesëmarrja aktive në konferencat shkencore vendore dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë në komunikacionin rrugor, si dhe kontributi aktiv në hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore që e rregullojnë këtë çështje dhe nëpërmjet propozimeve, komenteve, mendimeve profesionale, dhe të ngjashme.
“Ne e përmbushim këtë rol duke thelluar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve me qëllim të ndërgjegjësimit të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor, veçanërisht fëmijëve si kategoria më e cenueshme e pjesëmarrësve në komunikacion”, tha Angellovski.
Në mënyrë plotësuese, kryetari Angellovski u dërgoi mesazh të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion se e vetmja mënyrë e vërtetë për të ndier atmosferën festive është pjesëmarrja e përgjegjshme dhe e sigurt në komunikacion.
“Është e kotë të flitet për ndëshkime dhe politika represive kur bëhet fjalë për vlerën themelore të njeriut, që është jeta, e cila nuk ka çmim. Mos i prishni festat tuaja dhe mos lejoni që mosrespektimi i rregullave, sjellja e pakujdesshme, e papërgjegjshme dhe jotolerante në komunikacion të prishë paqen dhe qetësinë tuaj, të afërmve tuaj dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.” – porositi mr. Goran Angellovski në intervistë për Radiotelevizionin e Maqedonisë.