Me rastin e 11 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Kulturës së Komunikacionit, më 9 maj 2025, në Fakultetin Teknik pranë Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir u mbajt tribuna kushtuar rëndësisë së kulturës së komunikacionit dhe avancimit të sigurisë në rrugë.
Ngjarja u organizua në bashkëpunim me Katedrën e Komunikacionit në Fakultet, ndërsa fjalime kishin përfaqësuesit e shquar të institucioneve që punojnë në fushën e sigurisë në komunikacion. Në tribunë folën ndihmëskomandanti i Stacionit Policor për Siguri në Komunikacion në Manastir, shefi i Departamentit të Parandalimit në SPB Manastir, prorektorët – profesoresha Jasmina Bunevska – Talevska dhe profesori Zoran Joshevski, njëherazi edhe anëtar i KRSKRR-së, si dhe kryetari i Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor.
Në fjalimin e tij, Angellovski theksoi se kultura e komunikacionit nuk është vetëm një sërë rregullash, por një pasqyrim i vlerave shoqërore dhe përgjegjësisë personale. Ai theksoi se inxhinierët dhe projektuesit e ardhshëm, siç janë studentët e fakulteteve teknike dhe të komunikacionit, kanë rol vendimtar në ndërtimin e infrastrukturës së sigurt dhe të qëndrueshme të komunikacionit, dhe u bëri thirrje atyre t’i zbatojnë parimet e sigurisë dhe kulturës në çdo aspekt të punës së tyre.
“Misioni ynë i përbashkët është të ndërtojmë breza që do ta kuptojnë komunikacionin jo si garë, por si hapësirë të përbashkët të durimit, respektit dhe përgjegjësisë”, theksoi Angellovski.
Ai shtoi se KRSKRR-ja mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me komunitetin akademik përmes aktiviteteve edukative dhe parandaluese, të cilat do të kontribuojnë në ndryshimin e realitetit të komunikacionit në vend.
Ngjarja përfundoi me thirrje drejtuar të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion për të qenë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, pasi kultura e komunikacionit është parakusht për zvogëlimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetëve njerëzore.






