Препораки за возачите и за пешаците: Како да останат безбедни во сообраќајот во зима – Rekomandime për shoferët dhe këmbësorët: si të mbesin të sigurt në komunikacion gjatë dimrit
Derisa këmbësorët janë kategoria më e prekshme e pjesëmarrësve në komunikacion, shoferët janë ata që më shpesh shkaktojnë ose marrin pjesë në fatkeqësi komunikacioni. Dimri dhe kushtet dimërore në rrugët shkaktojnë probleme serioze, si për shoferët, ashtu edhe për këmbësorët.
Në dimër, koha është e ftohtë, dita është më e shkurtër, ndërsa mjegulla është më e shpeshtë dhe dukshmëria në rrugë zvogëlohet ndjeshëm. Në kushte të tilla të motit, kur rrugët dhe trotuaret janë të rrëshqitshme, ndërsa temperaturat e mëngjesit dhe ditore janë në minus, më të rrezikuarit në komunikacion janë këmbësorët – lëvizja e tyre bëhet e rrezikshme dhe e vështirë. Pavarësisht nëse janë duke ecur në trotuar, në vendkalimin për këmbësorë apo duke kaluar në rrugë, ata janë akoma më të rrezikuar për lëndime. Shumë këmbësorë pësojnë çdo ditë, pavarësisht moshës, gjinisë ose aftësisë së tyre, ndërsa këmbësorët më të lënduar zakonisht janë njerëzit e moshuar.
Të udhëhequr nga kjo situatë, KRSKRR-ja i këshillon këmbësorët se si të marrin pjesë në mënyrë të sigurt në komunikacion:
1. Lëreni celularin tuaj derisa lëvizni – lëvizja e shpërqendruar është e rrezikshme!
2. Bëhuni të dukshëm ditë e natë! Vishni rroba ose sende të ndritshme, reflektuese. Shtoni një copë ngjitëse ose jelek reflektues në xhaketën ose çantën tuaj.
3. Vishni këpucë të përshtatshme dhe të mirëmbajtura për ta zvogëluar rrezikun e rënies në sipërfaqet e rrëshqitshme.
4. Planifikoni daljet ose takimet tuaja. Mundohuni të jeni jashtë gjatë ditës dhe kur koha është e mirë. Lini më shumë kohë kur udhëtoni gjatë dimrit, kështu që nuk do të duhet të “qëlloni” përmes komunikacionit për të kapur autobusin!
5. Shmangni veshjen e gjërave që mund të shkaktojnë humbjen e ekuilibrit gjatë ecjes.
6. Kaloni rrugën vetëm në vendkalimin e shënuar. Mos vraponi ose mos e kaloni rrugën jashtë vendkalimit të shënuar për këmbësorë.
7. Bëni kontakt me sy me shoferin e automjetit që vjen drejt jush. Prisni derisa të gjitha automjetet të kenë kaluar para se të niseni nëpër rrugë.
8. Mbani kokën lart dhe shikoni me kujdes komunikacionin! Mos lejoni që diçka tjetër t’ju shpërqendrojë. Mbani mend se: në rrugët e ngrira, shoferët përballen me sfida serioze dhe se në kushte të tilla, është më e vështirë të ndalosh automjetin, përkatësisht distanca e tij e frenimit është më e gjatë.
Në kushtet dimërore të komunikacionit, përveç kujdesit të këmbësorëve, kujdesi dhe përgjegjësia absolute e shoferëve është e detyrueshme, veçanërisht ndaj kategorive të prekshme të pjesëmarrësve në komunikacion (këmbësorëve dhe çiklistëve). Në dimër, kushtet e ngasjes janë dyfish të vështira, kështu që KRSKRR-ja ju kujton disa gjëra të rëndësishme që çdo shofer duhet t’i respektojë në kushtet dimërore të ngasjes:
1. Para se të niseni për udhë, kontrollojeni parashikimin e motit.
2. Sigurohuni që t’i ndizni dritat për të rritur shikueshmërinë për shoferët e tjerë.
3. Gjithmonë mbajeni rezervuarin e karburantit të paktën gjysmë të mbushur.
4. Sigurohuni që të ketë gjithmonë lëng të mjaftueshëm për pastrimin e xhamit të parmë të automjetit.
5. Ngasni ngadalë dhe mbani distancë. Shpejtësia juaj duhet të përshtatet me motin, kushtet e rrugës dhe të përputhet me fluksin e komunikacionit.
6. Shmangni shpërqendrimet dhe mos e përdorni celularin tuaj gjatë ngasjes. Fokusi juaj i plotë duhet të jetë në rrugë.
7. Mbani mjetet e dimrit në automjetin tuaj. Pajisja duhet të përmbajë të paktën kabllot për fillimin e automjeteve, sprejin për shkrirjen e bravave, karikuesin e telefonit celular, batanije, elektrik dore, ujë, çantë të ndihmës së parë.
8. Nëse ngecni, ndizni sinjalet e vezullimit, vendosni një trekëndësh reflektues në rrugë, nëse ka dëborë të madhe për të shënuar automjetin, mund të lidhni pëlhurë me ngjyrë në antenë. Qëndroni në automjet derisa të vijë ndihma.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor u bën thirrje shoferëve, në kushtet e dimrit ta përshtatin ngasjen e automjetit sipas kushteve të motit dhe të rrugës, t’i respektojnë këmbësorët dhe të kujdesen për sigurinë e tyre në komunikacion. Këmbësorët, gjithashtu, duhet të kenë kujdes kur kalojnë në rrugë, sepse rrugët janë të ngrira dhe shoferëve u duhet më shumë kohë dhe hapësirë për të ndaluar automjetin në mënyrë të sigurt.
Me sjelljen e duhur dhe të sigurt në komunikacion, kujdesuni për veten dhe për pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.
Rregullat e komunikacionit nuk ekzistojnë për t’ju ndëshkuar policia, por për të mbrojtur jetën tuaj dhe jetën e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion. Ngas me përgjegjësi!