Зошто страдаат пешаците во Република Македонија? – Pse pësojnë këmbësorët në Republikën e Maqedonisë?
Në vitin 2016, në Republikën e Maqedonisë, 35 këmbësorë humbën jetën në fatkeqësi komunikacioni, ndërsa 871 këmbësorë u lënduan në fatkeqësi komunikacioni. Nga këmbësorët e vdekur, 1 person është 14 vjeç, 3 persona të moshës 25-40 vjeç, 14 persona të moshës 41-64 vjeç dhe 17 persona mbi 65 vjeç.
Pyetja mbetet: Pse pësojnë këmbësorët në Maqedoni?
E para dhe më e rëndësishmja, këmbësorët pësojnë në fatkeqësi komunikacioni sepse u mungon ndjenja e vetëdijes se edhe ata janë pjesëmarrës në komunkacion dhe se rregullat e komunikacionit vlejnë edhe për ta, si edhe për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. Për më tepër, shprehitë e këqija dhe kultura e ulët e komunikacionit është një faktor i rëndësishëm nga i cili varet siguria e këmbësorëve në komunikacion, por është gjithashtu e rëndësishme që këmbësorët i njohin pak rregullat e komunikacionit, më pak janë të kontrolluar dhe më pak janë të sanksionuar si pjesëmarrës në komunikacion.
Pyetja e dytë e rëndësishme është: Po në lidhje me shoferët dhe qëndrimin e tyre ndaj këmbësorëve?
Përgjegjësia e shoferëve për sigurinë e këmbësorëve në komunikacion nuk është më e vogël se ajo e këmbësorëve. Për obligimet dhe qëndrimin e tyre ndaj këmbësorëve, KRSKRR-ja u kujton atyre rregullat më të rëndësishme që shoferët duhet t’i praktikojnë gjithmonë:
• Shoferi është i detyruar t’u kushtojë vëmendje të veçantë këmbësorëve që janë në rrugë ose që kanë filluar të ecin në rrugë.
• Kur afrohet në vendkalimin e shënuar për këmbësorë, shoferi është i detyruar të drejtojë automjetin dhe të ngasë me shpejtësi të tillë që lejon në rast nevoje të ndalojë automjetin para vendkalimit për këmbësorë.
• Shoferi është i detyruar që gjithmonë t’i lëshojë këmbësorët që kanë shkelur në vendkalimin për këmbësorë.
• Shoferi nuk duhet të parakalojë automjet tjetër që i afrohet vendkalimit të shënuar për këmbësorë, i cili kalon vendkalim për këmbësorë ose i cili është ndalur për shkak të kalimit të këmbësorëve në atë vendkalim.
• Shoferi, përkatësisht pronari i automjetit nuk duhet të ndalojë ose parkojë automjetin në vendkalim të shënuar për këmbësorë në një distancë më pak se dhjetë metra nga vendkalimi për këmbësorë.
• Shoferi i cili hyn në komunikacion në rrugë publike ose zonë tjetër të komunikacionit (dalja e automjetit nga garazhi, oborri, parkingu, etj.), është i detyruar t’i lëshojë të gjitha automjetet dhe këmbësorët që lëvizin në rrugë, përkatësisht në zonën e komunikacionit në të cilën del.
• Shoferi i cili me automjet kalon një zonë të destinuar për lëvizjen e këmbësorëve (lëvizja në trotuar ose në shteg këmbësorësh) nuk duhet të rrezikojë ose pengojë lëvizjen e këmbësorëve.
• Shoferi, përkatësisht pronari i automjetit nuk duhet të ndalojë ose parkojë automjetin në vendin ku do të rrezikonte sigurinë dhe lëvizjen e këmbësorëve (p.sh. në trotuar).
• Në një zonë të rregulluar posaçërisht të komunikacionit (trotuar, shteg këmbësorësh) i destinuar për lëvizjen e këmbësorëve, është e ndaluar të lihen automjetet që për shkak të dëmtimit, përkatësisht vjetërimit, nuk përdoren në komunikacion (automjete të shkatërruara, të braktisura, kamp-rimorkio, etj.).
• “Zonë e komunikacionit të qetë” është zona në vendbanim të shënuar me shenjë të përcaktuar të komunikacionit, në të cilën automjetet nuk duhet të lëvizin me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lëvizjes së këmbësorëve dhe në të cilën nuk ka kufizime në lojën e fëmijëve.
• Nëse një ose më shumë shenja shtesë në formën e shigjetës së gjelbër janë shtuar në semaforin në udhëkryq, shoferi mund të lëvizë në drejtimin e treguar nga shigjeta e gjelbër dhe ndërsa drita e kuqe ose e verdhë në semafor është e ndezur, dhe ai nuk duhet të pengojë komunikacionin e automjeteve që lëvizin në rrugën ku hyn dhe detyrimisht duhet t’i lëshojë këmbësorët që kalojnë rrugën.
• Shoferi i cili kthehet në rrugë anësore në hyrje të së cilës nuk ka vendkalim të shënuar për këmbësorë është i detyruar të bëjë kthesën me një shpejtësi të zvogëluar dhe t’i lëshojë këmbësorët që tashmë kanë hyrë në rrugë.
• Shoferi që nget automjetin në rrugë me ujë, është i detyruar të përshtasë ngasjen e automjetit në mënyrë që mos t’i spërkasë këmbësorët dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion.
Ngasja e përgjegjshme e automjeteve nga shoferët dhe lëvizja e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme e këmbësorëve janë çelësi i pjesëmarrjes së sigurt në komunikacion. Vetëm në atë mënyrë rrugët urbane dhe ndërurbane do të jenë një vend i sigurt për lëvizjen normale, funksionimin dhe realizimin e obligimeve ditore të të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.
Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor.