Промоција на прирачник за полагање на стручен испит за работа во автошкола и испитен центар – Promovimi i doracakut për dhënien e provimit profesional për punë në autoshkollë dhe qendrën e provimeve
Praktika dhe përvojat në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në vendin tonë kanë treguar se është e nevojshme të futet një sistem i licencimit të disa profesioneve në sistemin e sigurisë në komunikacionin rrugor, me qëllim të profesionalizmit dhe përgjegjësisë së kuadrit të angazhuar dhe në përgjithësi profesionalizmit dhe cilësisë së punës në autoshkollat dhe qendrat e provimeve, për t’u ngritur në një nivel më të lartë.
Cilësia e trajnimit të kandidatëve për shoferë dhe kontrolli i duhur i njohurive dhe aftësive të tyre ndikojnë shumë nëse shoferët gjatë jetës së tyre, pak a shumë do të sillen në përputhje me rregullat dhe normat e pranuara përgjithësisht të komunikacionit dhe nëse do të marrin pjesë në mënyrë të sigurt në komunikacion.Për punë cilësore dhe të lartë profesionale, shoferët instruktorë, pedagogët në pjesën teorike dhe anëtarët e komisioneve të provimeve në qendrat e provimeve, duhet të kenë njohuri dhe informata nga disa fusha. Edukimi i vazhdueshëm dhe cilësor i kuadrit profesional në autoshkollat dhe komisionet e provimeve, azhurnimi i vazhdueshëm i njohurive dhe aftësive të tyre është i domosdoshëm për të prodhuar shoferë cilësorë, me përgjegjësi shoqërore dhe mbi të gjitha të ndërgjegjshëm, të trajnuar dhe të sigurt – theksoi Gordana Kozhuvarovska, kryetare e KRSKRR-së në ngjarjen e organizuar për të promovuar doracakun.
Në pajtim me të theksuarën, përkatësisht në përputhje me obligimet që dalin nga Ligji për siguri në komunikacionin rrugor, në periudhën e ardhshme, shoferëve instruktorë, përkatësisht kuadrit profesional të angazhuar në autoshkollat dhe qendrat e provimeve u kërkohet të japin provimin profesional për të marrë licencën përkatëse për të kryer aktivitetin.
Me qëllim që të avancohet dhe lehtësohet i gjithë procesi, Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor ka përgatitur “Doracak për dhënien e provimit profesional për punën në autoshkollat dhe qendrat e provimeve”.
Doracaku është një material i sublimuar nga disa fusha dhe disa punime profesionale, dhe është i dobishëm nga njëra anë për edukimin dhe trajnimin e shoferëve instruktorë, dhe nga ana tjetër, ai mund të shërbejë edhe si material për përgatitjen për dhënien e provimit profesional për punën në autoshkollat dhe qendrat e provimeve.
Me rastin e promovimit të Doracakut për dhënien e provimit profesional për punën në autoshkollat dhe qendrat e provimeve, KRSKRR-ja sot organizoi ngjarje publike në të cilën i informoi personat e interesuar nga qendrat e provimeve dhe autoshkollat se Doracaku është në dispozicion në formë të shtypur dhe në formë elektronike dhe se në periudhën e ardhshme do të shpërndahet në të gjitha qendrat e provimeve dhe në një numër të madh të autoshkollave, por theksuan që doracaku është në dispozicion në formë elektronike edhe në faqen e internetit të KRSKRR-së, www.rsbsp.org.mk, në mënyrë që të gjithë personat e interesuar të kenë qasje të lirë për ta përdorur atë.