Јавните личности праќаат порака: Го сакаме градот безбеден! – Personalitetet publike dërgojnë porosi: E dua qytetin të sigurt!
Aktorë, këngëtarë, gazetarë, sportistë, prezantues dhe personalitete të tjera publike… të gjithë në një zë dërgojnë porosi “E dua qytetin të sigurt”, dhe kështu mbështesin aktivitetin e ri edukativ të KRSKRR-së që mban pikërisht këtë titull, dhe ka për qëllim ndërgjegjësimin e kulturës së komunikacionit në çdo qytet dhe në çdo vendbanim në Maqedoni.
Në këtë mënyrë, KRSKRR-ja me mbështetjen e personaliteteve publike i njoftoi dy aktivitetet e rëndësishme që do të zhvillohen në periudhën e ardhshme. Bëhet fjalë për fushatën “Java e Sigurisë në Komunikacion” në Ohër dhe Manastir. Të dyja, me të njëjtin titull, me të njëjtën porosi me të njëjtën moto – “E dua qytetin të sigurt!”
Çdo ditë jemi dëshmitarë të një numri të madh fatkeqësish komunikacioni dhe gjithnjë e më shpesh arrijmë në përfundim se është pothuajse e pamundur të kalojë një ditë ose një fundjavë pa ndodhur ndonjë fatkeqësi e rëndë komunikacioni me persona të lënduar ose të vdekur. Në Republikën e Maqedonisë, mesatarisht, rreth 160 persona humbin jetën në fatkeqësitë në komunikacion çdo vjet, dhe rreth 6000 persona lëndohen rëndë. Kjo do të thotë që çdo dy – tre ditë një person humb jetën në fatkeqësi komunikacioni dhe nga disa persona në ditë lëndohen rëndë dhe mbesin me aftësi të kufizuara përgjithmonë si rezultat i fatkeqësisë së komunikacionit. Fatkeqësitë në komunikacion janë shkaku numër një i vdekjeve tek të rinjtë.
Sipas KRSKRR-së, ngasja e shpejtë, ngasja e automjetit nën ndikimin e alkoolit, mosrespektimi i rregullave të komunikacionit, sjellja joetike, e pakulturuar, e papërgjegjshme, jotolerante në komunikacion, janë arsyet kryesore për shkaktimin e fatkeqësive në komunikacion me pasoja të rënda dhe fatale.
Fatkeqësisht, shumë shpesh, në rrugët urbane dhe ndërurbane në Republikën e Maqedonisë, mund të shohim shoferë që arrijnë shpejtësi të lartë dhe të paarsyeshme, brenda ose jashtë vendbanimit, shoferë që ngasin automjetin nën ndikimin e alkoolit, shoferë dhe pasagjerë që nuk përdorin rripin e sigurimit, shoferë që përdorin celular gjatë ngasjes, etj. Automjetet e parkuara në mënyrë të paligjshme dhe këmbësorët që lëvizin jashtë trotuarit dhe të cilët e kalojnë rrugën ku ju vjen më “lehtë”, pothuajse ka në çdo hap.
Në pajtim me këtë, KRSKRR-ja dhe të gjitha personalitetet publike që mbështetën fushatën “E dua qytetin të sigurt” bëjnë thirrje për përgjegjësi më të madhe në komunikacion, respektim të plotë të rregullave të komunikacionit dhe respektim të sinjalizimit të vendosur në komunikacion.
Në të njëjtën kohë pyesin: Cili është kontributi yt për një qytet më të sigurt, për komunikacion më të sigurt?
Le të fillojmë ta ndërtojmë dhe ndryshojmë kulturën e komunikacionit, duke filluar secili prej vetes, përmes shembullit personal dhe kontributit pozitiv, për më pak viktima dhe siguri më të madhe në rrugët urbane dhe ndërurbane – thonë nga KRSKRR-ja dhe mbështetësit e fushatës.
Vera është përpara nesh, koha për pushime dhe ahengje, kohë për përvoja të reja dhe përjetime të reja, ndërsa të dhënat statistikore dhe përvojat nga vitet e mëparshme tregojnë se numri i viktimave në fatkeqësitë e komunikacionit gjatë verës dyfishohet.
Për një verë të sigurt, për komunikacion të sigurt, bëhuni pjesë e fushatës “E dua qytetin të sigurt” dhe kontribuoni për komunikacion më të sigurt përmes respektimit të plotë dhe pa përjashtim të rregullave të komunikacionit.