Kryetarja e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, mr. Gordana Kozhuvarovska dhe zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski, nga 13 deri më 15 tetor 2022, morën pjesë në Forumin përavancimin e sistemit të sigurisë në komunikacion 2022, me moton "Vizioni zero fëmijë të vdekur në komunikacion” që u mbajt në Zllatibor, Republika e Serbisë, të organizuar nga Agjencia për Siguri në Komunikacion dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Serbisë.
Forumi u organizua me qëllim të rritjes së kapaciteteve të këshillave për koordinimin e punëve që kanë të bëjnë me sigurinë në komunikacion dhe për të kontribuar në uljen e viktimave në aksidentet e komunikacionit. Përveç punëtorive interaktive dhe panel-diskutimeve, u shkëmbyen përvojat dhe shembujt e praktikave të mira në fushën e sigurisë në komunikacion. mr. Gordana Kozhuvarovska, në fjalimin e saj theksoi se statistika e pavolitshme për sigurinë në komunikacionin rrugor edhe më tej na sfidon dhe na obligon të gjithëve, si individë ashtu edhe si institucione, që të japim kontributin tonë në procesin e përmirësimit të sigurisë në komunikacionin rrugor.
KRSKRR-ja rregullisht realizon fushata edukative dhe parandaluese përfëmijët, ka edhe faqe interneti të dedikuar për këtë qëllim, publikon rregullisht edhe literaturë për edukimin e fëmijëve mbi komunikacionin, ndërsa në maj të këtij viti përgatiti edhe Deklaratë për siguri më të madhe të fëmijëve në komunikacion, të cilën e nënshkruan bashkë me 5 ministri nga RMV-ja. Në këtë drejtim, KRSKRR-ja do të japë kontributin e saj në periudhën 2022 – 2030 që numri i fëmijëve viktima në aksidentet e komunikacionit të jetë zero.
“Komunikacioni nuk njeh kufij, viktimat në komunikacion nuk njohin kombësi dhe ky është motivi dhe arsyeja kryesore e bashkëpunimit të fuqishëm midis KRSKRR-së dhe Agjencisë për Siguri në Komunikacion e Republikës së Serbisë, si dhe me agjencitë nga vendet e tjera të rajonit. Në vitet 2021 dhe 2022, KRSKRR-ja në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri në Komunikacion e Republikës së Serbisë dhe ministritë e Punëve të Brendshme të të dyja vendeve, realizuan fushatë verore që përfshin shoferët nga të dyja vendet, si dhe shoferët e huaj që kalojnë transit përgjatë Korridorit 10.
Që përpjekjet e përbashkëta japin rezultate, konfirmohet edhe nga të dhënat se sipas statistikës në vitin 2021 nuk ka pasur asnjë viktimë në aksidentet e komunikacionit te pasagjerët serbë që kalojnë transit përgjatë Korridorit 10. Jemi të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin e ndërsjellë me qëllim të ndërgjegjësimit mbi komunikacionin te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor, veçanërisht fëmijët si kategoria më vulnerabile e pjesëmarrësve në komunikacion.” – tha Kozhuvarovska.
Në Forum morën pjesë përfaqësuesit e Agjencisë për Siguri në Komunikacion dhe disa ministri nga Republika e Serbisë (Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Ministria e Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, etj.), përfaqësuesit e vetëqeverisjeve lokale të Republikës së Serbisë, si dhe mysafirët nga RMV-ja dhe Republika Sërpska.