РСБСП со апел: Паркирај совесно, не го зафаќај местото резервирано за возилата на лицата со посебни потреби – KRSKRR-ja me thirrje: Parko me ndërgjegje, mos e zë vendin e rezervuar për automjetet e personave me aftësi të kufizuara!
Rrëmuja në komunikacion dhe numri i madh i automjeteve shpesh krijojnë vështirësi dhe nervozë për shoferët në kërkim të vendeve të lira për parkim. Një problem shtesë është fakti që një pjesë e shoferëve parkojnë në mënyrë jo të rregullt dhe nganjëherë zënë vendin e dy ose më shumë automjeteve ose parkojnë në mënyrën që bllokojnë një ose më shumë automjete, madje edhe rrugë të tëra, hyrjet në ndërtesat afariste, ndërtesat, etj. Një pjesë tjetër e shoferëve parkojnë në trotuar, në shtegun për këmbësorë ose biçikleta, përkatësisht në vende të palejuara, në vende private të parkimit, në vende të rezervuara vetëm për banorët lokalë, etj.
Çdo parkim i gabuar do të thotë shkelje e ligjit dhe rrezikim i sigurisë së pjesëmarrësve në komunikacion. Përveç kësaj, parkimi është pasqyrim i kulturës personale, etikës dhe përgjegjësisë së shoferit. Nëse shoferët tregojnë nivel më të lartë të tolerancës dhe kulturës në parkim, të paktën një pjesë e problemeve dhe nervozave me të cilat vetë përballen, do të tejkalohen, sepse rrëmuja krijon rrëmujë dhe kaos shtesë, ndërsa rendi dhe disiplina do të thotë mundësi e barabartë për të gjithë.
Çdo parkim i gabuar është i rrezikshëm dhe i palejuar, por parkimi në vendet e rezervuara për automjetet e personave me aftësi të kufizuara, pavarësisht se është akt i paligjshëm, është në të njëjtën kohë akt johuman, joetik, jonjerëzor, egoist dhe i pamatur që meriton nivelin më të lartë të dënimit moral.
Prandaj, KRSKRR-ja u bën thirrje shoferëve që të tregojnë nivelin më të lartë të kulturës, etikës dhe përgjegjësisë, të parkojnë me ndërgjegje dhe vetëdije dhe të mos zënë vendet e rezervuara për automjetet e personave me aftësi të kufizuara. Lini të lira vendet e parkimit atyre që kanë më shumë nevojë për të. Problemet me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara janë të mjaftueshme dhe mos lejoni që sjellja juaj të komplikojë më tej funksionimin e tyre të përditshëm. Ky është obligimi juaj human dhe ligjor.
Sipas Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, shoferi, përkatësisht pronari i automjetit nuk duhet të ndalojë ose parkojë automjetin në vendet e parashikuara për lëvizjen dhe parkimin e personave me aftësi të kufizuara dhe në vendet e parkimit të shënuar me tabelë shtesë, shenjë të komunikacionit ose shenjë rrugore si vend parkimi për automjetet e personave me aftësi të kufizuara.
#PARKONIMENDËRGJEGJE! #PARKONIMEPËRGJEGJËSI!