Пешаците се активни учесници во сообраќајот кои мора да ги почитуваат сообраќајните правила – „Без изговори“ – Këmbësorët janë pjesëmarrës aktivë në komunikacion të cilët duhet t’i respektojnë rregullat e komunikacionit – “Pa arsyetime!”
A e dini cili është grupi pjesëmarrës më i madh dhe më aktiv në komunikacion? Nëse nuk e dini përgjigjen, është – këmbësorët. Si pjesë e aktiviteteve të përditshme, çdo njeri, përveç autobusit, automjetit, motorit, biçikletës, çdo ditë dhe më së shpeshti, janë të përfshirë në komunikacion në rolin e këmbësorit. Në mëngjes deri në dyqan për të blerë bukë, te fqinjët, te shkolla; nga automjeti, përmes vendkalimit për këmbësorë, në punë…
Si pjesëmarrës aktivë në komunikacion, këmbësorët duhet t’i respektojnë rregullat e komunikacionit, ashtu si kur marrin pjesë në komunikacion në rolin e shoferëve, motoçiklistëve dhe çiklistëve. Për fat të keq, përvoja tregon se shumë këmbësorë nuk janë të vetëdijshëm për faktin se edhe ata janë pjesëmarrës aktivë në komunikacion, kështu që fotografia e rrugëve, pëafërsisht duket si kjo: rruga kalohet jashtë vendkalimeve për këmbësorë, zakonisht aty ku u përshtatet më shumë, aty ku rruga u është më e shkurtër, e vrapojnë karrexhatën edhe pse përbëhet nga dy ose edhe tri korsi, i kapërcejnë kopshtet dhe gardhet, vrapojnë në semafor të kuq për këmbësorë etj.
Por, nuk vrapojnë të gjithë. Ka edhe nga ata që lëvizin ngadalë, me kufje në vesh, pa shikuar majtas dhe djathtas dhe pa dëgjuar se çfarë po ndodh në komunikacion. Për disa, vendkalimi për këmbësorë është një pistë mode, për disa, vend për të bërë bisedë të mirë nëse takoni një të njohur të vjetër rastësisht. Për disa, lëvizja midis automjeteve dhe midis korsive është një rutinë e thjeshtë me të cilën përballen me shkathtësi.
“Lloje të ndryshme të njerëzve me lloje të ndryshme të shprehive”, por pak i respektojnë rregullat kur ecin në trotuare dhe kalojnë rrugëve.
Faktet thonë se këmbësorët janë pjesëmarrësit më pak të ndëshkuar dhe më pak të kontrolluar në komunikacion. Sjellja e tyre i lihet përgjegjësisë personale, vetëdijes dhe ndërgjegjes, si dhe kulturës së tyre të komunikacionit.
Statistikat thonë se:
• Në vitin 2018, deri në shtator, 626 këmbësorë u lënduan, ndërsa 17 këmbësorë humbën jetën,
• Në vitin 2017, 914 këmbësorë u lënduan, ndërsa 34 humbën jetën,
• Në vitin 2017, 17 këmbësorë mbi moshën 65 vjeç humbën jetën.
Këmbësorët më shpesh pësojnë në fatkeqësitë e komunikacionit në kushte të dukshmërisë së zvogëluar (mjegullës), në orët e hershme të mëngjesit dhe në orët e vonshme të mbrëmjes, në rrugët e pandriçuara ose në vendkalimet e pandriçuara për këmbësorë.
Analizat tregojnë se numri i këmbësorëve që pësojnë në fatkeqësitë e komunikacionit që ndodhin pikërisht në vendkalimin për këmbësorë është shumë i madh. Nga njëra anë, ka shumë shoferë të papërgjegjshëm që nuk i respektojnë, as këmbësorët, as rregullat e komunikacionit, por ka edhe shumë këmbësorë që, gjithashtu, marrin pjesë në mënyrë të papërgjegjshme në komunikacion.
Ajo që KRSKRR-ja u bën thirrje shoferëve është se obligimi i tyre është që gjithmonë të lëvizin me kujdes të veçantë kur i afrohen një vendkalimi për këmbësorë, për të zvogëluar shpejtësinë, për të ndaluar dhe për t’i lënë këmbësorët të kalojnë vendkalimin për këmbësorë. Por, kjo nuk do të thotë që këmbësorët kanë të drejtën absolute të kalojnë të parët në rrugë. Përkundrazi, ata janë të detyruar të kalojnë rrugën, pasi të jenë siguruar që mund ta bëjnë pa e rrezikuar jetën e tyre, por edhe sigurinë dhe jetën e shoferëve që vijnë tek ata. Këmbësorët duhet të jenë të sigurt njëqind për qind që automjeti që ata hasin mund të ndalet në kohë dhe në mënyrë të sigurt, në mënyrë që ata të kalojnë rrugën.
Mosrespektimi i ndërsjellë i këtij rregulli është shkaku numër një i fatkeqësive të komunikacionit në të cilat pësojnë këmbësorët.
Statistika e zezë shqetëson, është shqetësuese që ndodhin fatkeqësi komunikacioni në të cilat këmbësorët pësojnë çdo ditë, shqetësues është fakti se rreth 25% e numrit të përgjithshëm të viktimave në fatkeqësitë e komunikacionit janë këmbësorët.
Prandaj, nuk ka justifikime! Këmbësori është pjesëmarrës aktiv në komunikacion. Respektoni rregullat e komunikacionit, sepse vetëm kjo mund t’ju mbrojë. Asnjë justifikim, asnjë arsyetim për sjellje të pamatur në komunikacion, nuk do ta ndryshojë statistikën e zezë – përkujtojnë nga KRSKRR-ja.
Po, e njëjta gjë vlen edhe për shoferët. Asnjë justifikim, asnjë arsyetim! Kini kujdes për këmbësorët në komunikacion. Kjo është ajo që e kërkon Ligji, kjo është njerëzore, kjo është etike – kjo është e vetmja gjë e drejtë për të bërë.