Придобивки од возење велосипед со вашето семејство – Dobitë nga ngasja e biçikletës me familjen tuaj
Çiklizmi ju mundëson të kaloni më shumë kohë me familjen tuaj
Obligimet e punës dhe shkolla lënë gjithnjë e më pak hapësirë dhe më pak kohë të lirë për argëtim dhe shoqërim me familjen. Falë zhvillimit ekonomik, orari i punës është zvogëluar, por koha mesatare e nevojshme për të shkuar në punë është rritur. Problemi për prindërit është se nuk kanë mundësi të kalojnë mjaft kohë me të dashurit e tyre dhe kjo çon në prishjen e marrëdhënieve familjare. Çiklizmi ofron një zgjidhje të shkëlqyeshme për këtë problem. Çiklizmi me fëmijët ose me partnerin do ta forcojë marrëdhënien tuaj, do t’ju mundësojë të shoqëroheni me të dashurit dhe pjesa më e mirë është se nuk do t’ju kushtojë asgjë.
Dobitë shëndetësore për të gjithë familjen
Çiklizmi është i shëndetshëm për ju dhe të dashurit tuaj. Çiklizmi ka shumë dobi shëndetësore. Çiklizmi mund t’ju ndihmojë të digjni 600 kalori në orë, ndërsa metabolizmi juaj do të jetë aktiv edhe disa orë më vonë. Është interesante që kur ngisni biçikletë, nuk vëreni se ushtroni fare. Çiklizmi ndihmon që fëmijët tuaj të bëhen më të vetëdijshëm për dobitë e fitnesit dhe mënyrën e shëndetshme të jetesës dhe i pengon të shtojnë peshë. Ekspertët pajtohen se fëmijëve u duhet një orë fitnes çdo ditë për të zhvilluar eshtra dhe muskuj të fortë dhe të shëndetshëm.
Çiklizmi e zvogëlon stresin
Pavarësisht se sa përpiqeni të jeni të lumtur në jetë, stresi mund të jetë një problem i madh, e po kështu edhe për fëmijët tuaj. Në fakt, stresi në rininë e hershme mund të ketë pasoja gjatë gjithë jetës, por çiklizmi mund të jetë një zgjidhje e shkëlqyeshme për këtë problem. Nëse jeni çiklist, atëherë e dini me siguri se ngasja e ul stresin dhe relakson. E ndarë me familjen, është një fitore e mirë për të gjithë.
Çiklizmi është i mirë për zemrën
Zemra juaj ka funksion jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe çiklizmi e bën më të fortë. Çiklizmi mund të zgjasë jetën nëse ngisni rregullisht. Edhe nëse vozisni disa herë në javë, kjo mund ta ulë tensionin e gjakut dhe t’ju bëjë të ndiheni energjik dhe me humor të mirë.
Biçikleta do t’i bëjë fëmijët tuaj të dalin jashtë
Sot, fëmijët priren ta kalojnë pjesën më të madhe të kohës pa aktivitet fizik, brenda shtëpisë, duke luajtur lojëra kompjuterike dhe duke shikuar televizor. Një artikull i fundit zbuloi se disa adoleshentë janë më pak aktivë sesa gjyshërit e tyre. Si një alternativë ndaj qëndrimit të tyre të padobishëm në shtëpi, në aktivitetet tuaja të përbashkëta mund të futni biçikletën si një aktivitet të shëndetshëm dhe argëtues që do t’u japë liri të madhe dhe hapësirë të pakufizuar për lojë dhe argëtim. Prandaj bëhu shembull dhe ngisni bashkë me fëmijët tuaj. Sa më shumë që ju shohin, aq më shumë do të dëshirojnë të ngasin biçikletë.
Çiklizmi ju ndihmon të njihni mjedisin
Ju mund ta shfrytëzoni rastin për ta bërë ngasjen me biçikletë një çështje edukative për fëmijët tuaj. Përveç argëtimit, ata do të mësojnë se si të lëvizin nëpër qytet dhe të zvogëlojnë mundësinë e humbjes.
Çiklizmi i ndihmon fëmijët të përqendrohen në shkollë
Një studim i fundit nga Norvegjia zbuloi se nxënësit që kanë aktivitet fizik në natyrë përqendrohen më mirë në shkollë. Çiklizmi mund t’i japë fëmijës tuaj një përparësi në shkollë. Edhe pse ky studim mund të mos i parashikojë plotësisht rezultatet, ato tregojnë se çiklizmi ndihmon si fëmijët, ashtu edhe të rriturit për t’i përmirësuar aftësitë e tyre mendore.
Çiklizmi është i mirë për planetin
Për shkak të rritjes së emetimeve të CO2, mjedisi jetësor po bëhet më i ndotur çdo ditë. Fëmijët duan një planet të shëndetshëm. Ata e dinë që nëse kjo rrugë vazhdon, ajri i pastër do të jetë një luks në të ardhmen. Edhe pse çiklizmi vetëm nuk mund ta parandalojë këtë katastrofë, sigurisht që mund të ndihmojë shumë. Nëse zëvendësoni vetëm 30% të udhëtimeve me automjetin tuaj më të shkurtër se 6 km me biçikletë, mund t’i ulni emetimet e CO2 me 4%. Çiklizmi me fëmijët tuaj u tregon se kujdeseni për mjedisin jetësor. Ata do të ndjekin shembullin tuaj.
Në fund, KRSKRR-ja kujton se biçikleta do të sjellë zbritje prej 10% në të gjithë faturën për të gjithë ata që do të vijnë me të në: Barbakan, Kinema Karposh, Vinil, Thirio, Coffee Factory, Brik, Tvins, Casa Bar, Palladium, Centar Bar, Soul Kitchen, Boulevard dhe BellaVista. Në të njëjtën kohë, u bën apel të gjithë pjesëmarrësve që të marrin pjesë në komunikacion të sigurt dhe me përgjegjësi dhe t’i respektojnë rregullat e komunikacionit.