Заљуби се во безбедното возење – Dashurohu në ngasjen e sigurt
Dashurohu në ngasjen e sigurt, shijoji bukuritë e jetës! – është mesazhi me të cilin Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor e uron festën e dashurisë dhe verës, Shën Valentinin dhe Shën Trifunin.
Jetojmë në një kohë të paparashikueshme. Koha e pandemisë së Kovid-19, por edhe pandemia e fatkeqësive në komunikacion në të cilat më shumë se 1.3 milion njerëz në botë e humbin jetën çdo vjet, ndërsa rreth 50 milion lëndohen rëndë ose lehtë.
Në këtë kohë të vështirë, secili prej nesh, pak a shumë, fillon të kuptojë se thelbi i jetës nuk është në garën e përditshme me kohën, kërkimin e përditshëm të parave dhe se jeta nuk është një luftë pa kompromis në të cilën duhet të kemi sukses, duke i shkelur të gjitha vlerat humane dhe të civilizimit.
Jeta është diçka krejtësisht tjetër. Jeta është dashuri, miqësi, respekt, solidaritet, tolerancë… Jeta përbëhet nga njerëzit dhe gjërat që ju rrethojnë çdo ditë, që ju bëjnë të lumtur dhe që ju japin energji dhe forcë pozitive për të pasur sukses në atë që e bëni.
Shën Valentini ose Shën Trifuni, dita e dashurisë dhe verës, është dita kur duhet të ndaleni dhe të mendoni se çfarë ju ofron jeta, çfarë ju ofron dashuria, çfarë ju bën të lumtur dhe të kënaqur.
Shën Valentini ose Shën Trifuni është dita kur duhet të mendoni nëse ia vlen t’i sakrifikoni të gjitha bukuritë dhe gëzimet që i sjell jeta vetëm sepse doni të ngisni nën ndikimin e alkoolit, sepse doni të “tërboheni” nëpër rrugë, sepse keni turp të vendosni rripin e sigurimit, sepse doni të “fotografoheni” gjatë ngasjes, sepse doni të “tregoheni” para të tjerëve, sepse ngisni pa patent shoferi…
Ata që thonë se ngasin dhe garojnë nëpër rrugë për të ngritur adrenalinën, sepse jeta jetohet vetëm një herë, gënjejnë ose nuk e dinë. Jo, për fat të keq vetëm një herë vdiset, ndërsa jeta, me të gjitha bukuritë e saj, jetohet çdo ditë.
Mendoni se çfarë vlen dhe çfarë nuk vlen. Mendoni për ju dhe për të dashurit dhe të afërmit tuaj. Mendoni se çfarë ju bën juve dhe të dashurit tuaj të lumtur dhe të gëzuar.
Me rastin e festave, Shën Valentini dhe Shën Trifuni, KRSKRR-ja edhe një herë përkujton:
Mos lejoni që për një vendim të keq ose shprehie të keqe të shkaktoni fatkeqësi në komunikacion që do të rrezikoni jetën tuaj ose jetën e dikujt tjetër. Pasojat e fatkeqësive në komunikacion janë të përhershme dhe me dhembje përgjithmonë. Rinia justifikon shumë gjëra, por jo edhe humbjet dhe dhembjet e shkaktuara nga fatkeqësitë në komunikacion.
KRSKRR-ja ua uron Shën Valentinin dhe Shën Trifunin të gjithë të rinjve, të gjithë të dashuruarve, të gjithëve që duan të festojnë, që besojnë në këto festa dhe që i respektojnë gjërat pozitive dhe të bukura në jetë dhe u bën thirrje të gjithëve së bashku ta festojmë festën e dashurisë dhe verës me çka do të dërgojmë mesazhe dhe këshilla emocionale dhe edukative për të dashurit tanë:
Dashurohu në ngasjen e sigurt, shijoji bukuritë e jetës!
Për ne dhe dashurinë tonë, ndërpreji lidhjet me alkoolin dhe ngasjen e shpejtë!
Je zemër që kurrë nuk nget i dehur. Gëzuar festën!
Në emër të dashurisë sonë, ki kujdes sa herë që ulesh pas timonit!
Për ata që i do dhe ata që të duan, vendose rripin e sigurimit dhe respektoji rregullat e komunikacionit!
Dërgoni ndonjë nga mesazhet e theksuara personit tuaj të dashur. Ndoshta në këtë mënyrë do ta shpëtoni jetën e tij ose jetën e dikujt tjetër.
KRSKRR: Gëzuar Shën Valentinin dhe Shën Trifunin! Ngisni me përgjegjësi!